MMA

Trajneri i McGregor zbulon marrëveshjen, ja kur kthehet në kafaz kampioni i botës

Trajneri i kampionit irlandez të arteve marciale mikse Conor McGregor beson se ai do të rikthehet në kafaz në prill të 2018-ës  edhe pse kohët e fundit ishte përfolur për të marrë pjesë në eventin e UFC-219, që zhvillohet më 30 dhjetor në Las Vegas. John Kavanagh, që është trajneri i McGregor, ka rrëfyer se edhe pse përballja me Tony Ferguson, për unfikimin e titujve kampionë ishte thuajse e sigurt, ajo është shtyrë për një periudhë tjetër. Irlandezi ende nuk e ka bërë mbrojtjen e parë të titullit kampion bote në peshën e lehtë, të fituar në nëntorin e 2016-ës ndaj Eddie Alvarez, ndërkohë që këtë vit debutoi dhe u mund në ring nga Floyd Mayweather.

UFC pret që McGregor të rikthehet sa më shpejt në ring pas këtij debutimi në boks dhe presidenti Dana White ka konfirmuar se sfida e radhës e irlandezit do të jetë ajo ndaj  Tony Ferguson. Duket se në këtë shtyrje të rikthimit të kampionit të botës në kafaz ka qenë edhe sjellja e tij në Bellator 187, kur hyri në kafaz për të festuar, por më pas shau dhe sulmoi gjyqtarin e ndeshjes. Ndaj dhe trajneri Kavanagh i ka rrëfyer gazetares së MMA-së, Farah Hannoun se McGregor do të rikthehet në kafaz në prill ose më vonë. Duket se gjithçka është bërë në marrëveshje me UFC-në edhe pse ka zëra që thonë se irlandezit duhet t’i hiqet titulli kampion bote, pasi ai asnjëherë nuk i ka mrojtur titujt kampionë në UFC.

Më shumë nga MMA