Bundesliga

Trajneri rival e pranon: Çfarë ka arritur Ronaldo dhe Real Madridi është unike

Trajneri i Bayern Munich, Niko Kovac, ka thënë për “Goal” se arritjet e Real Madridit në Ligën e Kampionëve gjatë vitet e fundit janë unike. “Los Blancos” kanë bërë histori, duke e pushtuar kontinentin për tri vite radhazi, pa asnjë skuadër tjetër më parë, që e ka mbrojtur kurorën në formatin aktual të Champions-it.

Cristiano Ronaldo provoi të jetë një figurë emblematike për gjigantët e La Liga-s gjatë një suksesi mahnitës, me superstarin portugez që e plotësoi koleksionin e tij të triumfit europian në pesë tituj.

Ai tani është larguar nga “Santiago Bernabeu” te gjigantët e Seria A, Juventusi, por Kovac beson se Real Madridi do të mbetet rival serioz ndaj Bayernit të tij dhe pjesës tjetër të atyre që shpresojnë të fitojnë trofeun e famshëm në sezonin 2018-2019.

Trajneri kroat tha: “Po, Real Madridi e ka fituar Champions-in tri herë radhazi, çka është unike. Nuk e di nëse do të ndodhë përsëri në të ardhmen e afërt. Real Madridi pa Cristiano Ronaldon nuk është sigurisht çfarë ishte me të, por mbetet ende një ekip shumë i mirë.

Është mahnitëse të fitosh tri herë radhazi Ligën e Kampionëve, por, gjithashtu, duhet të mbani mend se ata e fituan La Liga-n vetëm një herë gjatë këtyre tri viteve. Barcelona e fitoi titullin dy herë, kështu që ju nuk mund të keni gjithçka. Për të bërë mirë në të tria garat është shumë e vështirë. Por, unë jam i bindur se Real Madridi do të luajë një rol të madh përsëri”.

Si kroat që është, trajneri i skuadrës bavareze ka dhënë mendimin e tij edhe për Luka Modric, nëse ai është interpretuesi më i mirë në planet: “Secili ka shijen e vet dhe mund të argumentohet për çka mendon. Natyrisht, lojtarët sulmues marrin vëmendjen, për shkak se shënojnë golat, edhe ta të mirët, ndaj ato janë momentet, që mbeten në kujtesë. Por, dëshiroj që lojtarët e tjerë, të cilët nuk janë në plan të parë, që ende luajnë mirë për klubin, ose kombëtaren e tyre, të marrin më shumë njohje.

Unë duhet të them se për mua Lionel Messi është më i miri në botë. Ishte kështu disa vite më parë dhe do të vazhdojë të jetë në të ardhmen. Ronaldo është, gjithashtu, një lojtar i klasit botëror. Me të jam i impresionuar nga mënyra se si qëndron në majë. Kjo gjë nuk është e lindur, por edhe e trajnuar. Shumë lojtarë janë të talentuar, natyrisht, por gjithashtu duhet të punoni për të përmirësuar veten. Kjo është ajo që Ronaldo bën në një mënyrë fantastike.

Mohamed Salah ishte me të vërtetë mirë vitin e kaluar, Luka Modric ka bërë shumë mirë, por luan në një pozitë shumë të ndryshme. Kylian Mbappe dhe shumë të tjerë, që unë ndoshta i harroj tani, mund t’i përmend shumë këtu. Futbolli është zhvilluar shumë. Klasi individual, në fund të fundit, i vendos lojërat”.

Më shumë nga Bundesliga