Connect with us

Futboll

Trashi: Është promovuezi im, por në fushë jam armik me Duron

Me objektivin për të garuar me Kukësin dhe Skënderbeun për kreun e klasifikimit, skuadra e Partizanit, do të duhet të kalojë të shtunën pengesën e vështirë vlonjate. Pikërisht në vigjilje të sfidës ndaj Flamurtarit, Lorenc Trashi, në cilësinë e një prej protagonistëve kryesorë të këtij Partizani, konfirmon objektivin e të kuqve në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit: “Objektivi ynë tani, është që të afrohemi sa më tepër me Kukësin dhe Skënderbeun. Të shohim se do të jetë vazhdimësia. Duke u ndeshur me të dyja këto skuadra mund të them që janë shumë të forta dhe nuk mund të veçoj asnjërën”. 

Partizani do të synojë afrimin me kreun, duke fituar ndaj Flamurtarit.

“Për profesor Duron kam respekt shumë të veçantë. Ai është një nga njerëzit e parë që kishte shprehur dëshirën që unë të isha pjesë e Partizanit dhe më dha dorën që të shprehja aftësitë e mia. Përsa i përket ndeshjes me Flamurtarin, unë kam respekt për profesor Duron, por në fushë jemi armiq, ndërsa jashtë saj jemi miq. Ai është një trajner shumë i mirë dhe ka punuar mirë në Vlorë. Mendoj se fakti që Duro e njeh ekipin tonë, nuk do të ndikojë. Kjo pasi ka kaluar shumë kohë që nga koha kur ai drejtonte Partizanin. Ne praktikojmë një mënyrë tjetër loje dhe mendoj që do të jetë ndryshe”, u shpreh Trashi.

Trashi kujton se ishte Duro ai që e promovoi te Partizani, por në fushë e konsideron armik.

“Këto dy ndeshje me Flamurtarin dhe Korabin do të jenë shumë të vështira. Duke vlerësuar që Flamurtari është në rrezik përsa i takon pikëve, ata do të na vënë shumë në vështirësi. Kanë një ekip shumë të mirë dhe do të jetë e vështirë. Po ashtu edhe me Korabin, sepse ata nuk kanë çfarë të humbasin dhe është si shprehja “të luash bixhoz pa para”. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje. Te Flamurtari nuk vlerësoj ndonjë lojtar të veçantë, por grupin shumë të mirë që kanë”, deklaroi ndër të tjera futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi.

Më shumë nga Futboll