Kampionati Shqiptar

Tre pikë shprese, Kamza fiton me vuajtje përballë Lushnjes

Pas një serie me rezultate negative, Kamza është rikthyer tek fitorja në stadiumin e saj. Skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj ka mundur me rezultatin e ngushtë 2-1 Lushnjen, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në Kategorinë Superiore.

Takimi fillon me një lojë të vakët dhe me vendasit që mundohen të marrin nën kontroll ndeshjen duke dominuar në mesin e fushës. Kamza mundohet të vërë në rrezik portën e miqëve me anë të disa goditjeve të Filit dhe Plakut, por sërish tentativat e tyre nuk janë në nivelin e duhur. Lushnja nga ana tjetër nuk është e aftë që të mund të rrezikojë portën e Kamzës, e cila duket shumë mirë e vendsour në fushë.

Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 0-0, ndërsa menjëherë në pjesën e dytë vendasit kalojnë në avantazh. Në minutën e 47’ është Sabino Plaku, ai që çon për herë të parë topin në rrjetë. Pas këtij goli, Lushnja tregon shenja reagimi dhe në minutën e 74’, bën surprizën duke i çuar shifrat në barazim 1-1 me anë të Sefës.

Menjëherë pas këtij goli, Kamza hidhet e gjitha në sulm për të rimarrë avantazhin e ndeshjes. Pas disa tentativave, vendasit do ia arrinin qëllimit në minutën e 86’. Është sërish Plaku, i cili pas një gjuajtje me kokë, kompleton dopietën e tij në këtë ndeshje.

Me këtë triumf Kamza, tashmë është 4 pikë më shumë se Vllaznia e vendit të parafundit, duke rritur së tepërmi shpresat për mbijetesë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar