Seria A

Tronditet Seria A, dy skuadra rrezikojnë rënien në B

26 korrikun e ardhshëm do të hidhet shorti për kalendarin e sezonit 2018/19 të kampionatit italian, por starti i Serisë A duket se mund të ndryshojë pa filluar për shkak të vendimeve që mund të merren në zyrat e Federatës Italiane të Futbollit.

Vendime që mund të ndryshojnë renditjen e kampionateve të fundit të Serisë A dhe Serisë B. Janë dy ekipet e kategorisë kryesore të futbollit italian që rrezikojnë: Chievo dhe Parma.

Veronezët akuzohen se kanë prodhuar një bilanc pozitiv fiktiv për 25 milionë euro pas një serie këmbimesh lojtarësh më Cesena-n. Si Chievo, ashtu edhe Parma, do të shkojnë në gjyq më 17 korrik.

Për sa i takon Parma-s, akuza është për shkelje sportive në tentativë. Një akuzë që bazohet te disa mesazhe të këmbyer me lojtarët e ekipit kundërshtar para ndeshjes së luajtur me Spezia-n, që ka rezultuar vendimtare për ngjitjen e tyre në Serinë A.

Tani, gjithçka është në duart e gjykatës federale kombëtare që do të marrë në gjykim pozicionet e të dy klubeve: nëse do t’i japë të drejtë Prokurorisë së Federatës Italiane të Futbollit, atëherë Seria A do të pësonte një tronditje të madhe pak ditë para hedhjes së shortit për sezonin e ri.

Më shumë nga Seria A