Champions League

Tuchel: Humbja ndaj Liverpool nuk ishte logjike dhe as korrekte…

Trajneri i skuadrës së PSG-së, Thomas Tuchel, ndjeu se humbja e fundit e tij në Ligën e Kampionëve (ndaj Liverpool), nuk ishte logjike apo korrekte. Në kuadrin e Grupit C, kampionët francezë u mundën 3-2 nga finalistët e sezonit të kaluar, Liverpool, në “Anfield”, të martën.

Të besuarit e Tuchel shfuqizuan një disavantazh prej 2-0, në sajë të golave ë Thomas Meunier dhe Kylian Mbappe. Ata të dy rivendosën barazpeshën në lojë, kur kishin mbetur edhe shtatë minuta deri në fund. PSG, megjithatë, iu nënshtrua një goli tjetër, të realizuar nga Roberto Firmino, çka përbën zhgënjim të madh për trajnerin Tuchel.

“Ndoshta rezultati nuk e tregon historinë e lojës, – tha ai. – Në fund, ne patëm rastin me Julian Draxler, me anë të të cilit mund ta kishim fituar ndeshjen, para se Liverpool të shënonte.
Mendoj se kemi bërë një paraqitje të shkëlqyeshme në pjesën e parë. Për mua, rezultati nuk ishte logjik, as korrekt.

Pësuam dy gola në pjesën e parë, por asnjëherë nuk e humbëm besimin tonë. Luajtëm me shumë trimëri dhe forcë mendore. Ndoshta në pjesën e dytë e dorëzuam topin shumë lehtë, por kjo të ndodh në “Anfield”.

Jurgen Klopp ka punuar me ekipin e tij për tri vite, Liverpool i tij ka potencialin të ushtrojë presion, ndaj kjo na e bënte edhe më vështirë. Sidoqoftë, kurrë nuk e humbëm shpresën. Përmes përpjekjeve tona arritëm golin e barazimit, por fundi i lojës ishte shumë, shumë i vështirë”.

 

Më shumë nga Champions League