Mix Vendi

Turneu mbarëkombëtar “Abedin Lame” në mundje, triumf i dyfishtë i Tiranës

Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” është zhvilluar sot Turneu Mbarëkombëtar i Mundjes për të rinj në nder të një prej ikonave të këtij sporti, Adebin lame, i cili nuk jeton më. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë ekipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Gjatë ceremonisë së hapjes së turneut, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Mundjes shprehën mirënjohjen për Federatat partnere të Maqedonisë e Kosovës, duke i falënderuar për praninë e tyre. Ndërkohë që, gjatë garave, janë vlerësuar disa sportistë kampionë ndër vite, të cilët kanë marrë titullin “Nderi i Mundjes”. Ata janë: Jak Marku, Rasku Shira, Sami Deda dhe Ardian Trota.

Për “Telesport” (e transmetoi direkt eventin), presidenti i FSHM-së, Martin Biba, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen dhe nivelin e treguar nga mundësit e rinj, duke premtuar se të tilla aktivitete do të vijojnë edhe në të ardhmen, pasi ato kanë si synim evidentimin e talenteve për përfaqësime ndërkombëtare. Këtë gjë theksoi edhe Genc Fazlija, përfaqësues i Federatës së Kosovës, që u shpreh i kënaqur për vazhdimësinë dhe bashkëpunime të tilla mes trojeve shqiptare, aktivitete që tashmë janë bërë traditë në këtë sport.

Nga Turneu Mbarëkombëtar i Mundjes “Abedin Lame”

Për sa i përket fituesve të Turneut Mbarëkombëtar të Mundjes “Abedin Lame”, në të dyja stilet, atë klasik dhe të lirë, ekipi i Tiranës tregoi epërsi të dukshme karshi rivalëve, duke rrëmbyer vendet e para me një diferencë të thellë pikësh. Përballjet ishin cilësore, duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në rritje, ndërkohë që për t’u theksuar ishte pjesëmarrja e disa ekipeve të femrave në mundje (Shqipëria u përfaësua me ekipin e Teutës për femra).

Në përfundim të garave, në stilin greko-romak, Tirana u rendit e para me 225 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 80 pikë dhe Burreli me 72 pikë. Ndërsa në stilin e lirë, Tirana u rendit e para me 210 pikë, ndjekur nga Teuta me 155 pikë dhe Liria e Shkupit.

Përgatiti: Nerilda Meda

Nga Turneu Mbarëkombëtar i Mundjes “Abedin Lame”

Më shumë nga Mix Vendi