Boks

Tyron Woodley po stërvit Floyd Mayweather për debutimin në kafaz

Sipas deklaratave të lëshuara së fundi nga Tyron Woodley, ai është duke stërvitur ish-kampionin e botës në boks Floyd Mayweather, për një debutim të mundshëm në kafaz, në artet marciale mikse (MMA). Woodley ka deklaruar se është duke u stërvitur me të pamposhturin Mayweather (50 fitore e asnjë humbje në ring), vendim që dy sportistët kanë marrë pasi janë takuar së fundi në mbrëmjen e “All Star Game” në NBA. Sipas kampionit të UFC-së, ish-boksieri mund të ketë një karrierë të suksesshme në MMA, madje mund të fitojë disa duele, pasi Floyd është i përgatitur fizikisht.

Duket se Woodley i ka dhënë disa këshilla të rëndësishme kampionit të boksit se si të duelojë një ndeshje në kafaz, duke i sugjeruar që të mos përballet me një sportist që vjen nga sporti i mundjes, pasi mund ta hedhë kollaj në tapet. “Floyd nuk ka nevojë për ta mësuar se si të godasë, por se si të mbrohet, kryesisht kur rivali e godet me shkelm dhe me bërryla, se si të evitojë kur dikush e kap në trup për ta hedhur poshtë. Ai është një sportist kampion, që mëson shumë kollaj, ndaj mendoj se ka shanse të mira në kafaz”, u shpreh Tyron Woodley gjatë një interviste.

Mayweather poston foto duke u stervitur ne kafaz

Disa herë Mayweather ka publikuar video duke u stërvitur në kafaz, por më pas ka deklaruar se nuk ka më ndërmend të zhvillojë një duel tjetër, pas rikthimit që bëri në gusht të vitit të kaluar, kur mposhti në ring Conor McGregor. U përfol se dy sportistët mund të zhvillonin revanshin në UFC, por kjo sfidë duket e pamundur që të realizohet, por deklarata e fundit e Woodley se po stërvit Mayweather ka zgjuar sërish interesin te fansat e këtij sporti.

Më shumë nga Boks