Basketboll

U luajt ndeshja e “urrejtjes”, B.Tirana mund bindshëm K.B Tirana

Tirana mund Tiranën. Mund të tingëllojë paksa e çuditshme, por ky sezon i ri në basketboll për femra na ka rezervuar një përballje të tillë. Vajzat e Erdal Borovës kanë arritur të sigurojnë fitoren e parë në Kampionat, pasi mundën me rezultatin 74-63 Klubin Tirana, në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

Rivalitet, emocion, dy skuadra që kërkonin patjetër në fitore, por në fund vetëm një fitues. Bardheblutë kanë arritur të dominojnë lojën, duke fituar të katërta periodat, konkretisht 18-12 në periodën e parë, 36-31 në periodën e dytë, 58-46 në të tretën dhe me një rezultat të përgjithshëm 74-63.

Loja nisi qetë për të dyja ekipet, me aksione të sakta dhe shumë pak gabime. Vendaset tregohen më të qarta në veprimet sulmuese si dhe mbrojnë me rregull, duke mos lejuar qendrat e kundërshtarit të dominojnë nën tabelë. Erta Bujari dhe tre pikëshit e Elektra Zykajt sollën avantazhin për Shoqatën Tirana, të cilët ia dolën ta ruanin këtë rezultat deri në fund, pavarësisht presionit të madh të ushtruar nga të besuarat e Mirza Alibegaj. Vajzat pink, që vijnë si pretendente në këtë kampionat, zhvilluan një lojë të mirë, duke e vënë herë pas here në vështirësi rivalet, por mbrojtja e bardhebluve u shndërrua në një pengesë për të marrë rezultatin që prisnin.

Në fund të këtij takimi, trajneri Erdal Borova për mikrofonin e Telesport është shprehur se ka mbetur shumë i kënaqur nga loja e vajzave të tij. Sa i përket kësaj përballje të çuditshme, Tirana kundër Tiranës, ai u shpreh se nuk i bën aspak habi, duke theksuar se “jetojmë në Shqipëri dhe gjithçka pritet”.

Nga ana tjetër, për trajneren Mirza Alibegaj, kjo është humbja e parë në Kampionat dhe nuk e shqetëson atë. Ajo gjithashtu ka mohuar akuzat që flasin se ekipi i drejtuar prej saj, është ngjitur në Kategorinë e Parë nëpërmjet një shorti të padrejtë nga ana e Federatës.

Më shumë nga Basketboll