Kampionati Shqiptar

UEFA e bën zyrtare: Skënderbeu jashtë Champions-it, Partizani në Europë

Skënderbeu pret përgjigjen e CAS-it, por UEFA nuk ka më dilema për veten e saj. Skuadra korçare, sipas qeverisë europiane të futbollit është e dënuar prej saj, ndaj nuk mund të llogaritet në shortin përkatës të kualifikueseve preliminare të Ligës së Kampionëve. Më saktësisht, UEFA ka zyrtarizuar mbrëmë Kukësin, nënkampionin e Shqipërisë, si skuadrën pjesëmarrëse në Champions nga vendi ynë.

Kjo do të thotë se në Kupat e Europës mund të luajë tashmë edhe Partizani, që ishte në pritje se çfarë do të ndodhte. Bashkë me të kuqtë, edhe Luftëtari me Laçin do do të luajnë në Ligën e Europës. Në fakt, Skënderbeu ka kërkuar pezullimin e përkohshëm (njëfarë sigurimi padie) të UEFA-s, derisa CAS të marrë vendimin përfundimtar.

Sidoqoftë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk ka reaguar ende, ndoshta e ka axhendën të ngjeshur me çështje të tjera, ndaj UEFA nuk ka pritur më, duke qenë se afron edhe hedhja e shortit përkatës. Më konkretisht, shorti, ku skuadrat shqiptare do të mësojnë rivalët e tyre të parë në Kupat e Europës, do të hidhet më 20 qershor në Nyon, për Champions, edhe për Ligën e Europës. Skuadrat tona do ta nisin garën në raundin e parë kualifikues.

Kujtojmë se Skënderbeu është dënuar nga dy komisionet juridike të UEFA-s, Disiplina dhe Apeli, me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. Klubi korçar e ka ankimuar çështjen në fjalë në CAS, duke shpresuar te pafajësia.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar