• United fiton në ndeshjen e kthimit por humbet Mkhitaryan

    Publikuar: 22 Feb 7:50

    Manchester United ka arritur të marrë një fitore edhe në fushën e St Etienne duke fituar me rezultatin e pastër 4:0 në të dyja ndeshjet e 1/16-ve të Europa League. Ishte një ndeshje pa shumë emocione teksa miqtë e udhëtuar nga Mançesteri mundohen të kontrollojnë ndeshjen duke mbajtur dhe qarkulluar topin sa më shumë të jetë e mundur dhe vendasit nuk kanë asnjë fije shprese se mund të dalin fitimtarë nga kjo sfidë.

    Në minutën e 17-të United arrin të gjejë golin e avantazhit kur Mata jep një top të bukur për Henrikh Mkhitaryan i cili nga shumë pranë portës e dërgon topin në rrjetë. Më tepër dukej si një ndeshje stërvitore për Djajtë e Kuq të udhëhequr nga Jose Mourinho pasi St Etienne nuk reagon në asnjë moment të ndeshjes të paktën për të dalë kokëlartë përpara tifozëve të tyre.

    Por trajneri i vendasve nuk është i vetmi që duhet të shqetësohet, pasi edhe Jose Mourinho-s i shtohen problemet kur pikërisht shënuesi i golit të avantazhit duhet të dalë nga fusha i dëmtuar pak minuta pasi kishte zhbllokuar rezultatin.

    Edhe në pjesën e dytë ndeshja kishte të njëjtën ecuri dhe në momente dukej e mërzitshme pasi të dyja skuadrat në fushë duket se janë pajtuar me rezultatin dhe pasojat dhe luajnë sa për të kaluar minutat e mbetura.

    Një nga momentet që ia vlen për t’u përmendur është kartoni i dytë i verdhë i Eric Bailly të Manchester United i cili duhet të largohet nga fusha duke lënë ekipin e tij me një lojtar më pak. Por as superioriteti numerik nuk ndikoi në rezultat teksa ndeshja vazhdoi të ishte e vakët dhe pa momente të bukura.


    Lexo postimet e tjera