• United-Hull, Mourinho i beson më të mirëve

    Publikuar: 9 Jan 6:46

    Manchester United do të kthehet nesër në mbrëmje në fushë për t’u ndeshur me Hull City në “Old Trafford”, ndeshje e vlefshme për takimin e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Ligës së Anglisë. Jose Mourinho ka ndërmend t’i besojë lojtarëve të tij më të rëndësishëm. Trajneri portugez ka bërë nëntë ndryshime në takimin e luajtur të shtunën e kaluar në Kupën e Anglisë kundër Reading, por ka konfirmuar se Zlatan Ibrahimovic, Paul Pogba dhe Ander Herrera do të jenë pjesë e formacionit titullar. Në fundjavë, United ka një ndeshje shumë të rëndësishme në kampionat kundër rivalëve të Liverpool, por Mou ka thënë se skuadra e tij do të japë maksimumin për të arritur finalen e “Wembley”-it.

    “Edhe për Hullin do të jetë një rast i madh, por unë nuk e di nëse për ata ka më shumë rëndësi ndeshja që do të luajnë tri apo katër ditë më vonë në Premier League (kundër Bournemouth)”, ka thënë ai. “Ne do të luajmë kundër Liverpool, një ndeshje e madhe për ne, por duam të arrijmë finalen. Për këtë arsye do të japim maksimumin kundër Hullit, nuk do të kursehemi. Është e vërtetë se do të ketë edhe një ndeshje kthimi, por takimin e dytë do ta luajmë në transfertë. Për këtë arsye do të kërkojmë të sigurojmë një avantazh që në ndeshjen e parë”.

    Për Marco Silva kjo do të jetë ndeshja e tij e dytë në drejtim të Hull, pasi ai ka marrë në dorë ekipin vetëm javën e kaluar. Pavarësisht se debutimi i tij ka qenë i suksesshëm, me një fitore 2-0 të marrë në Kupën e Anglisë kundër Swansea, ai e di mirë se sfida e sotme do të jetë një test akoma më i vështirë. “Duhet të përpiqemi të jemi në lojë deri në fund. Objektivi ynë është që të jemi akoma në lojë për kualifikimin në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Silva. “Nuk do të jetë aspak e lehtë, por lojtarët e mi ëndërrojnë të luajnë në finale”.

     


    Lexo postimet e tjera