Futboll

Useini e Siljanovski: Laçi fushë e frikshme, por askush mbi Flamurtarin

Flamurtari reagoi pas dy humbjeve rresht ndaj Skënderbeut dhe Partizanit, duke mundur bindshëm Kastriotin në Vlorë, ndërsa tashmë shpreson të marrë fitoren e parë jashtë fushe. Këtë mesjavë vlonjatët vizitojnë Laçin, fushë shumë e vështirë për çdo ekip, edhe pse Flamurtari këto vitet e fundit ka ditur të marrë pikë dhe ka luajtur mirë në Kurbin. Këtë radhë trajneri Ilir Daja ka preferuar të nxjerrë para gazetarëve dy futbollistë të ardhur sezonin e shkuar nga Maqedonia, Meti Useinin dhe Goran Siljanovskin, me të parin që më në fund ka rigjetur formacionin, ndërsa mbrojtësi është pikë kyçe në krahun e djathtë.

I pari ka folur Useini, i cili ka besim për ndeshjen e nesërme, edhe pse e vlerëson shumë Laçin.

Si shkon Flamurtari në ndeshjen e radhës?

Si në çdo ndeshje tjetër, gjithçka normale. Laçi është fushë e vështirë, kemi punuar mjaft mirë ditët e fundit dhe kemi analizuar gjithçka me stafin teknik, ndaj jemi të përgatitur maksimalisht. Shkojmë në Laç për tre pikë, pasi Flamurtari luan gjithnjë për fitore.

Si e vlerëson Laçin?

“Laçi ka vite që luan në Europa League, ka ekip cilësor dhe është një fushë mjaft e vështirë, por Flamurtari duhet të tregojë që e meriton të qëndrojë lart në renditje. Respekt çdo skuadre, por askush nuk është mbi ne.

Flamurtari i sezonit të shkuar dhe ai aktuali, një krahasim?

“Nuk mund të flas për dy ekipe krejt të ndryshëm, duke nisur nga trajneri e deri te lojtarët. Mund të them që këtë vit ekipi është mjaft cilësor, me emra të mëdhenj në Superiore, por krahasimi me sezonin e shkuar nuk bëhet dot”.

Më pas e ka pasur radhën Siljanovski, i cili eviton diskutimet për titullin kampion, duke menduar vetëm për sfidën e nesërme:

Si ndihesh në Vlorë, a mendoj se po jep atë që pret nga vetja dhe që drejtuesit presin prej teje?

Jam prej një viti në Vlorë, kam bërë shumë miq dhe jam shumë i lumtur këtu. Unë gjithnjë mundohem të jap maksimumin, duhet pyetur trajneri a është i kënaqur prej meje, sepse jap gjithnjë më të mirën e vet.

I kënaqur nga paraqitjet e tua?

Asnjë futbollist nuk është i kënaqur nga vetja, ka gjithnjë hapësirë për përmirësim.

Laçi përpara, si e sheh këtë sfidë?

Dihet që ndeshjet në Laç janë të vështira. Vinim nga dy humbje rresht, reaguam mirë në ndeshjen e fundit dhe nëse luajmë ashtu edhe në Laç do të fitojmë.

A është për titull ky Flamurtar?

Për momentin jemi të përqendruar te ndeshja e radhës, nuk shohim aq larg. Të shohim ndeshjet me Laçin e Kamzën, nëse ecim hap pas hapi, duke marrë maksimumin në çdo takim, do të shohim ku do të mbërrijmë.

Më shumë nga Futboll