La Liga

Valencia luan në transfertë, ka shansin tt’i afrohet Barçës

Valencia është një nga tre skuadrat e La Liga-s që nuk ka pësuar humbje në këtë kampionat dhe të dielën do të ketë mundësinë të shkojë dy pikë larg Barcelona-s, në rast të një fitoreje në fushën e Getafe. Miqtë pritet të marrin një rezultat tjetër pozitiv, duke parë se vendasit nuk fitojnë kundër tyre në shtëpi që nga viti 2012. Në katër ndeshjet e mëparshme të luajtura mes këtyre dy ekipeve në “Coliseum Alfonso”, Valencia ka marrë 3 fitore dhe 1 barazim.

“Los Che” kanë sulmin e dytë më të mirë të kampionatit, mbas Barcelona-s, me 33 gola të shënuar në 13 javë. Gjithashtu, ata kanë shënuar të paktën 2 gola në secilën nga katër ndeshjet e kampionatit të luajtura në transfertë. Në mesjavë ka aardhur një tjetër rezultat pozitiv për Valencia-n, që ka mundur 4-0 Zaragoza-n në Kupën e Mbretit. Santi Mina ka qenë protagonisti i takimit me dy gola.

Pas këtij takimi, trajneri Marcelino ka thënë: “Ne kemi respekt për çdo kundërshtar dhe japim gjithçka për të fituar”. Për sa i takon Getafe-s, ata janë eliminuar në raundin e parë të Kupës së Mbretit nga Alaves, skuadra që mban vendin e fundit në renditjen e La Liga-s.

Më shumë nga La Liga