Moto GP

“Valentino Rossi do të garojë edhe pas vitit 2021”

Këtë vit, Valentino Rossi ka rinovuar edhe për dy sezone të tjera kontratën me motorin Yamaha, çka do të thotë se do të garojë deri në vitin 2021, në moshën 41-vjeçare. Por duket se ky nuk do të jetë fundi i karrierës së pilotit italian dhe i bindur për këtë është babai i tij, Graziano Rossi, që në një intervistë të dhënë sot për mediat ka konfirmuar se Valentino do të garojë edhe përtej kontratës.

Për mua, Valentino ka mundësi që të garojë edhe për disa vite të tjera, pasi është pretendent dhe mund të duelojë për titull. Këtë vit Valentino është shumë kompetitiv, por problemi kryesor për të është motori Yamaha, që nuk arrin t’i japë një motor kompetitiv. Unë pres që ai të garojë edhe në vitin 2022”, u shpreh Graziano Rossi, ish-pilot në vitet ’70.

Duke folur për mundësitë që Valentino Rossi të fitojë titullin e 10-të në karrierën e tij, Graziano Rossi tha: “Ai e ka mundësinë për ta arritur këtë gjë, madje edhe këtë vit apo gjatë dy viteve të kontratës që ka me Yamaha. Ducati e Honda kanë dy motorë të mirë, ndërsa Yamaha nuk po arrin në nivelin e tyre dhe është përvoja e Valentinos ajo që bën diferencën”, tha babai i pilotit italian.

Më shumë nga Moto GP