Champions League

Valverde: “Chelsea? E vështirë për Messi dhe Barçan, por duam të shënojmë!”

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, foli të hënën në konferencë për mediat, në vigjilje të përballjes që e pret ekipin blaugrana të martën në transfertë ndaj Chelseas, e vlefshme për takimin e parë të të tetave të Champions League. Duke mos dhënë asnjë sinjal për atë që do të jetë formacioni blaugrana ndaj londinezëve, trajneri Valverde ka dhënë vlerësimin e tij për ekipin kundërshtar, për rivalitetin mes dy ekipeve dhe për statistikat aspak favorizuese të katalanasve ndaj Chelseas.

Imazh i ngjashëm

“Statistikat që kemi në Champions na japin një ide të vështirësive të këtij kompeticioni. Ishte e vështirë të shënonim në transfertë, por kjo nuk do të thotë se nesër do të jetë njëlloj. Ne do të tentojmë të shënojmë në ‘Stamford Bridge’, kundër një ekipi shumë të fortë fizikisht, që mbron mirë dhe që mund të surprizojë këdo. Ata kanë një mënyrë shumë markuese të lojës. Do të duhet të përshtaten me ne, ndërkohë që në La Liga ka skuadra si Girona që luajnë me të njëjtin sistem loje se Chelsea, me tre qëndror dhe dy anësorë”, komentoi trajneri Valverde për vështirësitë e Barcelonës në Champions dhe për sistemin e lojës së londinezëve.

Imazh i ngjashëm

“Është një sfidë e rëndësishme për të gjithë, për Leo dhe për mua gjithashtu. Do të jetë e vështirë për shkak të rivalitetit që ekziston. Është e vërtetë që Leo nuk ka patur fat në ndeshjet kundër Chelseas, por kjo i përket të kaluarës. Skuadrat e Premier League janë në një formë të shkëlqyer në Champions League. Fakti që do të përballemi me kampionët në fuqi të Anglisë, jep përshtypjen e asaj që do të kemi nesër kundër nesh”, vijoi tekniku i katalanasve.

Imazh i ngjashëm

“Çdo kohë është e keqe për tu ndeshur me Chelsean. Kanë të njëtat cilësi si vitin e kaluar. Fillimi i sezonit nuk ishte shumë i mirë, por janë rritur në ndeshjet e fundit dhe ata kanë lojtarë si Hazard, Giroud, Pedro … Kanë një mur special dhe janë gjithmonë të vështirë. E kaluara vlen, por nuk është vendimtare për atë që mund të ndodhë nesër. Protagonistët ndryshojnë, të tjetër mbeten, si Messi dhe Iniesta. Por ekzistenca e këtij rivaliteti është gjë e mirë, pasi gjeneron entuziazëm. Është një ndeshje që na impenjon shumë. Kemi menduar shumë gjatë për këtë përballje”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Barcelonës, Valverde.

Më shumë nga Champions League