Futboll

Varane: Ronaldo gjithmonë gjen një mënyrë për t’i heshtur kritikët e tij

Raphael Varane këmbëngul se Cristiano Ronaldo gjithmonë gjen një mënyrë për t’i heshtur dyshuesit ndaj tij, ndërkohë që Real Madridi po përgatitet për një përplasje të madhe të Ligës së Kampionëve, me Bayern Munich. Ronaldo ka gëzuar një sezon mahnitës, duke shënuar 42 gola në vetëm 39 ndeshje, përfshirë këtu 15 gola në Ligën e Kampionëve. Portugezi realizoi gol nga një goditje e shkëlqyeshme kundër Juventusit, në raundin e fundit, dhe pastaj shënoi nga penalltia në kohën e dytë.

Varane, pra, është këmbëngulës që Ronaldo të bëjë ndryshimin edhe kundër skuadrës gjermane, duke e udhëhequr Real Madridin drejt fitimit të këtij kompeticioni për të tretin vit me radhë.
“Unë besoj se sulmuesit e tjerë mund të bëjnë, gjithashtu, gola të rëndësishme, edhe pse është e vërtetë që Cristiano bën gjëra të pabesueshme, – tha Varane për “AS”. – Çdo herë që mendojnë se ai do të ulet pak, Ronaldo kthehet për të shënuar më shumë gola. Me Cristianon jemi mësuar të na befasojnë nga viti në vit”.

Ndërsa Real Madridi mund ta fitojë Ligën e Kampionëve, të besuarit e Zidane kanë pasur një edicion të vështirë në La Liga, teksa qëndrojnë 15 pikë pas udhëheqësve të Barcelonës. Dhe Varane beson se një numër mbështetësish duan që Real Madridi të dështojë çdo vit: “Është e qartë se ka shumë njerëz, që ëndërrojnë të na shohin të rrëzohemi. Nuk ka dyshim, megjithatë, ata nuk janë shumica.

Ne e ndiejmë dashurinë e tifozëve tanë dhe e dimë se Real Madridi është një klub i adhuruar në mbarë botën. Në vitet e fundit kemi qenë të pranishëm në momentet vendimtare të Ligës së Kampionëve. Disa njerëz nuk mund ta përballojnë këtë dhe duan të na shohin të humbasim. Por kjo është pjesë e futbollit. Unë ngulmoj: kritikët nuk janë shumicë, ka shumë njerëz që na mbështesin”.

Më shumë nga Futboll