Tenis

Vazhdon viti magjik i Rafael Nadal, triumfon edhe në turneun e Pekinit

Rafael Nadal nuk ndalet dhe një muaj nga triumfi në grand slemin e US Open, ka koleksionuar sot një tjetër trofe, atë të turneut të Pekinit, pas fitores 2-0 në finale ndaj australianit Nick Kyrgios (6-2, 6-1). Ky është trofeu i gjashtë sezonal për tenistin spanjoll, i 75-ti në karrierë për numrin 1 në botë, që tashmë shkon në kuotën e 9,800 pikëve, i shkëputur 2,300 pikë nga ndjekësi më i afërt, zvicerani Roger Federer, që nuk luajti në Pekin.

Rafael Nadal gjate finales se sotme ndaj Kyrgios

Në Pekin, tenisti spanjoll realizoi një tjetër mrekulli, duke konfirmuar se po kalon një formë të shkëlqyer, një vit magjik për 31-vjeçarin, që me shumë gjasa do ta mbyllë 2017-n në krye të renditjes. Finalja ndaj Kyrgios nuk pati histori, zgjati rreth 60 minuta dhe u dominua nga Nadal në të dyja setet, duke i fituar ato me shumë lehtësi. Kyrgios nuk arriti në asnjë moment të vërë në vështirësi Nadal, që feston me një tjetër trofe vitin e rilindjes.

Më shumë nga Tenis