La Liga

“Vdekjen e babait dhe të vëllezërve e harroj vetëm kur luaj”

Jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për sulmuesin e Atletico Madrid, Angel Correa. Tani, pasi ka treguar velrat e tij në La Liga dhe në “Wanda Metropolitano”, ai ka dhënë një intervistë në lidhje mejetën e tij personale. Argjentinasi ka luajtur 70 minuta kundër Real Sociedad, të shtunën, duke u zëvendësuar pak minuta pas golit të barazimit të realizuar nga Filipe Luis. Ai është kthyer në një titullar të rregullt për Diego Simeone-n në këtë sezon dhe ka bërë një rrugë të gjatë nga shtëpia e tij. “Futbolli më ka bërë gjithmonë të lumtur”, ka pranuar.

“Qëkur kam qenë 10 vjeç, kur kam humbur babanë, më largoi çdo dhimbje. Më pas kam humbur dy vëllezërit dhe futbolli është e vetmja gjë që më bën t’i harroj të gjitha këto. Sa herë që futem në fushën e lojës për të luajtur, harroj të gjitha të këqijat që më kanë ndodhur dhe dua vetëm të shijoj veten me miqtë e mi tek Atletico ose në Rosario”. Duket sikur ka kaluar një jetë e tërë, por vetëm 12 vite më parë, Correa mbante familjen kur ishte vetëm 10 vjeç. “Që nga dita e parë që menaxheri im më ka paguar, unë ia kam dorëzuar të gjitha rrogat mamasë, në mënyrë që të kishim mjaftueshëm për të ngrënë. Tani mund t’i jap gjithçka mamasë sime dhe vëllezërve të mi dhe kjo është ajo që kam ëndërruar gjithmonë”.

Përveç problemeve familjare, Correa kishte edhe probleme të tijat. Pasi nënshkroi me Atletico Madrid, ku u transferua nga San Lorenzo pas Kupës Libertadores, stafi mjekësor i klubit ka zbuluar diçka të pazakontë gjatë vizitave mjekësore dhe ai ka qenë i detyruar të bënte një operacion në zemër. Kjo ndërhyrje jo vetëm që e bëri më të vështirë rikuperimin e tij, por e detyroi atë që të mos luante në gjysmëfinalen dhe finalen e Kupës Libertadores me San Lorenzo-n. “Gjëja e parë që mendova ishte se nuk doja të operohesha, sepse doja të luaja gjysmëfinalen me San Lorenzo-n”, ka vazhduar Correa. “Por, më pas, vendosëm që zgjidhja më e mirë ishte t’i nënshtrohesha ndërhyrjes, sepse isha akoma i ri dhe mund të rikuperohesha më shpejt”.

Ai e ka akoma shenjën e atij operacioni, por nuk ka ndërmend të përfitojë nga fatkeqësitë që i kanë ndodhur. “Është pjesë e imja, nuk e kaloj kohën duke thënë ‘shikoni çfarë më ka ndodhur mua’, nuk më pëlqen kjo. Ishte diçka që duhej ta bëja dhe që, fatmirësisht, e kalova shumë shpejt. Asgjë më shumë”. Tani që është një pjesë kyçe e skuadrës së Diego Simeone-s, një trajner që ai e quan “një fitues”, Correa mund të shpresojë që të realizojë ëndrrat që ka pasur kur ishte 10 vjeç dhe kujdesej për familjen e tij.

Më shumë nga La Liga