Formula 1

Verstappen pranon fajin: Gabova me Vettel, duhej të isha më i duruar

I kam kërkuar ndjesë Vettel për aksidentin. E pranoj që ishte faji im, duhej të prisja momentin dhe mund ta parakaloja pa probleme më vonë. Më mungoi durimi, por kur je në pistë me 300km/orë nuk duhet të nxitohesh edhe pse është e lehtë ta thuash tani, pas gare”, tha Max Verstappen. Piloti i Red Bull u fokusua pas garës teksa bisedonte me ferraristin Sebastian Vettel, që pas aksidentit pati probleme me njëvendëshen e tij dhe e mbylli garën në vendin e tetë.

Pas atij aksidenti, Verstappen u penalizua me 10 sekonda, duke humbur një pozicion pas garës dhe u klasifikua i pesti, ndërkohë që FIA i ka hequr edhe 2 pikë nga patenta e tij. Pavarësisht kësaj, piloti holandez nuk është i kënaqur me paraqitjen e tij në 3 garat e para. “Ta shpif ky fillim-sezoni. Gjërat po shkojnë keq, nuk është kjo ajo që unë prisja. Kritikat i pranoj, shpresoj të jem më në formë në garën e ardhshme. E di që e kam zhgënjyer skuadrën, por do të provoj të fitoj herën tjetër”, tha Verstappen.

Më shumë nga Formula 1