Formula 1

Vettel: Na mungoi hapi i fundit për të fituar titullin

Sebastian Vettel beson se Ferrarit i mungoi hapi i fundit për të dueluar për titullin kampion në Formula 1 sezonin e kaluar. Makina italiane ishte në krye të renditjes deri në shtator, por më pas nuk ishte më në gjendje të duelonte me Mercedes dhe garat e Azisë së Largët vulosën dështimin e “kokëkuqes”. Pikërisht atëherë kur Ferrari duhej të bënte hapin final, që sipas Vettel mungoi. “Hapi i fundit është gjithnjë më i vështiri për të fituar titullin kampion. Megjithatë, unë besoj se skuadra ka një platformë solide për të konkurruar këtë vit për titullin kampion”, deklaroi piloti gjerman i Ferrarit.

Piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel

Besoj se do të jemi mjaft kompetivë këtë sezon, por nuk duhet të përsëritim të njëjtat gabime si vjet dhe të jemi cinikë atëherë kur duhet, duke marrë maksimumin dhe përfituar nga çdo mundësi që na jepet. Unë dua të fitoj titullin me Ferrarin dhe shpresoj që deri në shkurt, kur të kryhen testet e para, gjithçka do të jetë gati për sa i përket makinës së re. Në fabrikë po punojnë për një makinë të shpejtë dhe unë kam besim te mekanikët”, tha Vettel për revistën “Autosport”, që ende nuk ka fituar një titull kampion me Ferrarin, ndërkohë që numëron 4 tituj me Red Bull, po aq sa Hamilton.

Më shumë nga Formula 1