Formula 1

Vettel: Sezoni i duhur për të bërë ëndrrat realitet

Sebastian Vettel ka mbyllur testet dimërore në Formula 1 me shumë optimizëm, duke shpresuar që të jetë protagonist sezonin që do të nisë pas 10 ditësh, në Australi. Ferrari tashmë nuk duhet të gabojë më dhe piloti gjerman e di shumë mirë se pas një dekade në hije, makina “kokëkuqe” duhet të fitojë të paktën një titull kampion, atë për pilotë ose për konstruktorë. “Ky do të jetë sezoni i duhur për të kënaqur tifozët dhe pas rritjes së madhe që patëm gjatë 2017-ës, tani duhet të bëjmë hapin final dhe të fitojmë titullin kampion. E dimë që rivaliteti është i madh, por kjo gjë nuk na tremb dhe ne kemi përvojën e duhur për t’ia dalë mbanë”, tha Vettel.

Piloti gjerman Sebastian Vettel

Gara e parë e Botërorit do të jetë në Australi, aty ku Vettel vjet fitoi, ndaj piloti gjerman do të garojë për të arritur një tjetër sukses. “Është një pistë e mirë, por është gara e parë sezonale dhe aty do të zbulojnë të gjitha skuadrat potencialin e tyre. Testet dimërore treguan se nuk kemi probleme dhe arritëm të marrim informacionin e nevojshëm. Po bëjmë përgatitjet e fundit për të qenë gati për garën e parë, ku një fitore do të ishte një ogur i mirë për të ardhmen”, u shpreh piloti gjerman Sebastian Vettel, 4 herë kampion bote në Formula 1, por me makinën italiane nuk ka arritur asnjë titull kampion dhe këtë gjë synon ta realizojë këtë sezon.

Më shumë nga Formula 1