Bundesliga

Vidal njofton dorëheqjen: Shpirt i shkatërruar, por me kokën lart

Vidal njofton dorëheqjen: Shpirt i shkatërruar, por me kokën lart

Nuk ka më Kili për Arturo Vidalin. Mesfushori i Bayern-it ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga kombëtarja amerikano-jugore, duke vendosur që t’i përkushtohet vetëm klubit.

“Faleminderit për gjithçka, djema! Për të gjithë këto vite bashkë duke dhënë jetën në çdo ndeshje. Për faktin që ju treguat se me punë dhe mundim gjithçka në jetë është e mundur. Me shpirtin e shkatërruar, por me kokën lart për lojtarët dhe stafin teknik të kësaj skuadre”, – shkroi sot 30-vjeçari në “Twitter” pas humbjes 3-0 me Brazilin.

Disfata me “Seleçao”-n e lë jashtë Botërorit të Rusisë Kilin, kështu që për Vidalin nuk ka më kuptim që të vazhdojë të luajë. Ai e pati paralajmëruar dorëheqjen e tij javë më parë, duke shpjeguar se do t’i rrijë më pranë familjes.

Vidal ka debutuar me kombëtaren kiliane më 7 shkurt 2007. Ai ka marrë pjesë në Botërorin 2010 dhe Botërorin 2014. Kulmi i karrierës së tij ndërkombëtare ishte në vitet 2015 dhe 2016, kur Kili fitoi dy herë radhazi Kupën e Amerikës. Kontrata e tij aktuale në Mynih përfundon në vitin 2019.

Më shumë nga Bundesliga