Connect with us

RUSI 2018

Vidal sulmon FIFA-n: Paska rregulla ndryshe për Messin…

Ylli i kombëtares së Kilit, Arturo Vidal, thotë se FIFA nuk do ta hiqte pezullimin për cilindo lojtar, siç bëri për Lionel Messin javën e kaluar.

Ylli i kombëtares së Kilit, Arturo Vidal, thotë se FIFA nuk do ta hiqte pezullimin për cilindo lojtar, siç bëri për Lionel Messin javën e kaluar. Messi u çlirua nga katër ndeshje pezullim, masa disiplinore e FIFA-s, e marrë ndaj tij në mars, pasi u shikuan pamjet televizive, në të cilat dukej se si ai abuzonte verbalisht me një zyrtar të ndeshjes, gjatë sfidës kualifikuese mes Argjentinës dhe Kilit. Më pas, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk luajti dot në disfatën 2-0 të kombëtares së tij në Bolivi, por FIFA ia hoqi sanksionet e mbetura të premten, duke thënë se “provat në dispozicion nuk ishin të mjaftueshme për të vendosur në standardin e duhur”.

Kombëtarja e Kilit, gjithashtu, ka pasur një sërë pezullimesh gjatë fushatës aktuale kualifikuese të Kupës së Botës. Jorge Valdivia dhe Gary Medel duhet të kryejnë pezullime të plota me nga katër ndeshje secili për incidente të ngjashme me Messin, ndërsa Eduardo Vargas iu dha një sanksion prej dy ndeshjesh. Dhe Vidal, i cili nuk luajti në humbjen e marsit kundër Argjentinës, tha se Messi mori trajtim të veçantë në apelin e tij, duke thënë se “rregullat janë të ndryshme për yllin e Barcelonës. Kjo çështje është e komplikuar, – nënvizoi Vidal për “Radio Cooperativa” në Kili. – Do të doja që rregullat të ishin të njëjta për të gjithë. Është mirë për Argjentinën, për Messin dhe për futbollin, sepse është gjithmonë mirë të shohësh Messin duke luajtur me ekipin e tij kombëtar, sepse gjithmonë jep gjithçka. Uroj më të mirën për të, por dua që rregullat të ishin të njëjta për të gjithë”.

Kili gjendet në vendin e katërt, në klasifikimin aktual të fushatës kualifikuese të “CONMEBOL”, vendi i fundit automatik për të arritur në finalet e Kupës së Botës 2018, ndërsa Argjentina është një pikë prapa. Vidal po lufton për t’u rikthyer në stërvitje të plotë, duke qenë se nuk luajti në dy ndeshjet e fundit me kampionët gjermanë të Bayern Munich, por tha se ende synon të luajë për Kilin në Kupën e Konfederatave të FIFA-s, këtë verë.

Më shumë nga RUSI 2018