Futboll

VIDEO: Çmenduri, futbollistët e kombëtares ruse si gangsterë, masakrojnë dy persona!

Një histori e pabesueshme vjen nga Rusia, ku dy futbollistë të njohur janë nën hetim, nën akuzën e sulmit ndaj një zyrtari të lartë të shtetit rus në një kafene në Moskë.

Aleksandr Kokorin i Zenitit dhe Pavel Mamaev i Krasnodarit akuzohen se kanë sulmuar me karrige zyrtarin e ministrisë Denis Pak, duke e plagosur. Mediat ruse raportojnë se dy futbollistët janë arrestuar dhe marrë në pyetje ditën e sotme.

Kokorin e Mamaev kanë qenë pjesë e kombëtares, por nuk janë grumbulluar për ndeshjet e radhës, ndaj e shfrytëzuan periudhën e pushimit për të dalë në Moskë. Të dy ishin në një klub nate në veriperëndim të Moskës, kur u filmuan duke goditur makina me shkelma në një parking. Kur dikush – që më vonë u zbulua se ishte shoferi i një gazetareje të njohur në Rusi, Olga Ushakova – u tha diçka, futbollistët e sulmuan personin që ndërhyri, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe dëmtim traumatik në tru, sipas mjekëve, për shkak të sulmit të dhunshëm sidomos nga Mamaev, që e goditi pafundësisht, edhe kur ishte i shtrirë në tokë.

Incidenti ndodhi i pari, por u zbulua pas incidentit tjetër të rëndë, sepse dy futbollistët sulmuan dikë që u kërkoi të mos bënin zhurmë në një kafene. Viktima u godit me karrige dhe më vonë u zbulua që ishte një zyrtar i cili punonte për Ministrinë e Industrisë.

Zeniti dhe Krasnodari kanë dalë me deklarata për mediat, ku kërkojnë falje publike dhe dënojnë ashpër veprimet e futbollistëve. Krasnodari ka pezulluar Mamaevin, ndërsa mund ta prishë fare kontratën e tij. Zeniti ka dënuar sulmin, duke paralajmëruar ndëshkim, por duke qenë i paqartë në deklaratë.

Kokorin, 27 vjeç, e Mamaev, 30 vjeç, janë miq të vjetër dhe nuk është hera e parë që sillen në mënyrë skandaloze, sepse pas eliminimit nga Euro 2016 u përfshinë në një skandal duke shpenzuar rreth 250.000 euro në Monte Carlo për shampanjë. Në atë koha ia hodhën me gjobë, por tani gjithçka është shumë e rëndë dhe viktimat pritet të bëjnë padi, çka nënkupton burg për dy gangsterët.

Më shumë nga Futboll