Champions League

Video: PSG i kërkon ndihmë tifozerisë ultras për ndeshjen me Real-in

Një grup i tifozerisë ultras të Paris Saint-Germain janë takuar me disa prej lojtarëve kyç të skuadrës për t’i dhënë atyre një motivim më shumë në pritje të ndeshjes së kthimit të 1/8-ve të Champions League kundër Real Madrid.

Pjesëtarë të “Collectif Ultras Paris” kanë biseduar me kapitenin Thiago Silva, Dani Alves, Marquinhos dhe Kylian Mbappe në qendrën stërvitore të ekipit. PSG ka një punë të madhe për të bërë, nëse do të kualifikohet në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube pas humbjes 3-1 të pësuar në ndeshjen e parë.
Tifozët i kanë siguruar atyre se atmosfera në stadium do të jetë e zjarrtë dhe se ata do të jenë gjatë gjithë kohës në mbështetje të skuadrës me synimin për ta bërë gjithçka më të vështirë për “Los Blancos”.

“Duam që madrilenët ta ndiejnë çfarë do të thotë të vish në Paris”, ka thënë një nga tifozët. “Ftojmë të gjithë të vijnë në stadium më herët me fanellat dhe shallet e tyre dhe të krijojmë një koreografi të jashtëzakonshme për të motivuar lojtarët tanë”. Në një video të postuar nga PSG, lojtarët mund të shihen duke bashkëbiseduar për ndeshjen me tifozët ultras.

Real fitoi me përmbysje në ndeshjen e luajtur në kryeqytetin spanjoll, teksa heroi i takimit ka qenë i zakonshmi Cristiano Ronaldo. Penalltia e tij barazoi golin e realizuar nga Rabiot dhe ai shënoi golin e tij numër 100 në Champions League për Real-in kur kishin mbetur edhe shtatë minuta lojë, ndërsa Marcelo shënoi të tretin në fundin e ndeshjes. Sfida e kthimit do të luhet 6 marsin e ardhshëm në “Parc des Princes”.

Më shumë nga Champions League