Futboll

Video: Shehi merr një surprizë para Kukësit, tekniku i gëzohet një rikthimi të rëndësishëm

Skënderbeu humbi ndeshjen e fundit kundër Teutës në kampionat me rezultatin 2-0. Një sfidë që shkoi shumë keq që nga dalja me karton të kuq të Kaba Sambou dhe golave të pësuar. Disfata në Durrës tregoi se ekipi korçar nuk është i pathyeshëm dhe ka probleme. Kampionët e Shqipërisë kanë humbur shumë në cilësi nga viti i kaluar dhe kjo po shihet ndeshje pas ndeshjeje, pavarësisht se mbeten në ekipet pretendente.

Tekniku Shehi do të ketë një duel “zjarri” kundër Kukësit në mesjavë. Takimi do të luhet të enjten, prej orës 17:45, në stadiumin “Skënderbeu”. Në kuadër të kësaj ndeshjeje, ekipi nuk po njeh pushim dhe po stërvitet normalisht. Seanca e fundit stërvitore u zhvillua paraditën e së hënës. Numri një i stolit kishte në dispozicion të gjithë ekipin e tij.

Në fakt, Shehi pati dhe një “surprizë”, pasi me grupin u stërvit dhe sulmuesi Ardit Hoxhaj. Ky i fundit ka qenë i dëmtuar dhe nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje. Rikthimi i tij rrit konkurrencën dhe cilësinë në kampin korçar, megjithatë nuk do të luajë, pasi është ende heret. “Ekipi ka nisur sot zyrtarisht përgatitjet për takimin e javës së 7-të ndaj Kukësit… Nën drejtimin e stafit teknik, ekipi zhvilloi sot paradite një seancë stërvitore. Ardit Hoxhaj bashkohet me ekipin. Grupi i plotë dhe në gjëndje optimale”,- shkruhet në njoftimin e klubit kampion.

Më shumë nga Futboll