Futboll

Vijon rekordin pozitiv, Skënderbeu fiton edhe me Vllazninë

I pandalshëm është Skënderbeu i këtij sezoni, pasi sot ka fituar në shtëpi ndaj Vllaznisë me rezultatin 2-0, në atë ndeshje që ishte programuar të zhvillohej në Shkodër. Dy golat e realizuar respektivisht nga Taku në të 57’ dhe Sowe në të 85’ i kanë dhënë korçarëve fitoren e 8-të në 9 javët e fazës së parë, për të vijuar rekordin pozitiv të pathyeshmërisë në këtë sezon. Bardhekuqtë sundojnë kampionatin pasi në përfundim të fazës së parë renditen në krye të klasifikimit, në kuontë e 25 pikëve, provizorisht 8 pikë më shumë se Kukësi, që ka një ndeshje më pak, në pritje të përballjes me Flamurtarin. Nga ana tjetër, skuadra e Vllaznisë mbetet në pozita shumë të vështira, teksa renditet në vendin e parafundit, në kuotën e 6 pikëve, vetëm 1 më shumë se Lushnja e ekstremit të poshtëm të klasifikimit.

Pas një pjese të parë totalisht të dominuar nga korçarët, me një mori rastesh të pafinalizuara saktë, ose të ndalura nga difensiva shkodrane, skuadra e Skënderbeut ka gjetur golin e avantazhit në minutën e 57’ me anë të Takut. Ky i fundit ka finalizuar në mënyrë perfekte një aksion të bardhekuqëve, në të cilën ish-futbollisti i Tiranës ishte protagonist kryesor. Korçarët kanë shënuar edhe golin e dytë me anë të Sowe, që pas disa tentativash të dështuara, ka dërguar topin në rrjetë në minutën e 85’. Të pamjaftueshme kanë qenë përpjekjet e shkodranëve për të barazuar rezultatin, pasi nuk kanë mundur dot të kërcënojnë portën e mbrojtur nga Shehi.

Vllaznia-Skënderbeu 0-2
Shënues: Taku 57′, Sowe 85’

Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku, Krymi, Tafili, Hasani, Vucaj, Lika, Atsina.
Trajner: Ernest Gjoka

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani, Lilaj, Muzaka, Taku, James, Sowe.
Trajner: Ilir Daja

Arbitër: Mario Apap (Maltë)

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll