Connect with us

Moto GP

Vinales: Për të fituar titullin duhet të mund Rossin

Një muaj më parë, Marc Marquez e konsideroi si rivalin kryesor për titullin kampion, por spanjolli Maverick Vinales, që këtë vit do të debutojë te Yamaha, shprehet se qëndron me këmbë në tokë. Ai fillimisht kërkon të fitojë konfidencën e duhur me motorin e ri dhe më pas të shpalosë objektivat. Por një gjë Vinales e ka të sigurtë, që për të fituar titullin kampion duhet të mundë shokun e skuadrës, legjendën e Moto GP, Valentino Rossi. “Nëse duhet të fitoj titullin dhe të jem më i miri, atëherë duhet të mund më të mirin, Rossin. E di që do të jetë shumë e vështirë, sidomos gjatë vitit të parë, por duhet t’ia dal mbanë. Edhe kur isha te Suzuki i mbylla disa gara para tij, ndaj duhet të përpiqem sërish. Por janë edhe Lorenzo e Marquez që duelojnë për titull, ndaj nuk ka për të qenë e lehtë”, tha Vinales për mediat spanjolle.

Piloti spanjoll Maverick Vinales pas triumfit ne nje gare te Moto GP

Por të gjithë janë kuriozë të shohin se si do të jetë bashkëjetesa mes Vinales dhe Rossit, pas problemeve që pati italiani me një tjetër spanjoll, Jorge Lorenzo. “Valentino gjithnjë ka qenë një luftëtar në pistë, nuk heq asnjëherë dorë dhe përvoja që ka është e rëndësishme për të, sidomos në duelet që zhvillon në pistë. Por, përveç Rossit edhe Marquez është favorit dhe do të jenë këta të dy rivalët kryesorë, ndaj të cilëve duhet të përfitoj nga çdo mundësi që më jepet. Deri në fund. Nuk më tremb aspak bashkëjetesa me Rossin, pasi mendoj vetëm të jap maksimumin në pistë dhe të duelojë për fitore. Me të gjithë kolegët kam raporte të mira, ndaj kalimi te Yamaha është një shans i artë për mua, që do ta shfrytëzoj. Të gjithë garojnë për fitore edhe unë jam një prej tyre”, tha Vinales.

Më shumë nga Moto GP