Moto GP

Vinales tenton surprizën, do fitore edhe në Amerikë

Pasi ka befasuar të gjithë në dy garat e para sezonale në Moto GP, piloti spanjoll i Yamaha, Maverick Vinales synon suksesin e tretë, këtë herë në pistën amerikane të Austin, ku do të garohet ditën e diel. “Mezi po e pres këtë garë, pistë që e njoh mirë, pasi këtu kam arritur fitoren e parë kur garoja në kategorinë Moto 2. Gjithnjë jam paraqitur mirë në këtë pistë, madje edhe vjet kam arritur një rezultat të mirë”, u shpreh sot nga Teksasi piloti Maverick Vinales në prag të garës së tretë sezonale.

Vinales ka fituar në dy garat e para, Katar dhe Argjentinë, ndaj udhëheq renditjen e Moto GP me 50 pikë të plota, duke e bërë pretendentin kryesor për titull. Ndaj spanjolli synon një tjetër triumf. “Kjo është një pistë që i përshtatet stilit tim të garimit dhe më pëlqejnë shumë luhatjet që ajo ka. Por jam kurioz ta shoh se si do të përshtatem me motorin e ri Yamaha, megjithëse jam i bindur dhe optimist se do të bëj një tjetër garë të mirë”, tha Vinales.

Më shumë nga Moto GP