Basketboll

Viron Toska: Mbajtëm premtimin për titullin, triumf i merituar

Flamurtari ka festuar sot një tjetër titull kampion në basketboll për femra, pasi mposhti 3-0 me ndeshje në finalet e play off-it rivalet e Tiranës. Një kampionat që erdhi në rritje për basketbollistet vlonjate, që e rritën lojën nga faza e parë në të dytën e më pas në play off. “Pasi humbëm Kupën e Shqipërisë e Superkupën, objektivi ynë ishte titulli, pasi nuk jemi mësuar pa trofe. Unë e kam thënë se do ta fitonim titullin, madje pa humbur asnjë ndeshje në play off dhe ia dolëm mbanë. Skuadra është fantastike, bëri një punë të mirë dhe kjo është meritë e të gjitha vajzave”, u shpreh Viron Toska, trajneri i Flamurtarit.

Ky është titulli i 22-të në historinë e Flamurtarit, që prej më shumë se një dekade dominon në basketbollin e femrave, duke bërë ligjin. “Punojmë çdo ditë, çdo vit për të qenë më të mirët dhe në fund e kemi merituar këtë titull. Loja jonë ka ardhur në rritje nga faza në fazë dhe ky epilog ishte i pritshëm për ne. Tirana është një rivale e fortë, por ne e merituam titullin. Këto finale, sidomos e treta, tregoi se niveli i basketbollit ishte në rritje, pasi afrimi i lojtareve të huaja e ka përmirësuar ndjeshëm imazhin, duke afruar edhe tifozët, që ne nuk i zhgënjyem në këto finale”, tha Toska.

Basketbollistet vlonjate festojne titullin

Më shumë nga Basketboll