Çiklizëm

Viti i artë i Chris Froome, pas Turit fiton edhe Vueltën e Spanjës

Çiklisti britanik Chris Froome fitoi edicionin nr.72 të Vueltës së Spanjës 2017, suksesi i parë i tij në këtë turne, ku në tri raste ishte renditur i dyti. Por këtë herë çiklisti i skuadrës SKY theu të gjitha barrierat dhe arriti t’ia dalë mbanë, duke u bërë çiklisti i katërt në historinë e këtij sporti që arrin brenda një viti të fitojë Turin e Francës dhe Vueltën e Spanjës.

32-vjeçari arriti të bëjë realitet ëndrrën e tij, duke korrur suksesin e 5-të të madh në karrierën e tij (ka fituar 4 herë edhe Turin e Francës, por asnjëherë Xhiron e Italisë). Në etapën e 21-të dhe të fundit, që ishte më së shumti një parakalim në rrugët e Madridit, festë për Froome, që la pas italianin Vincezo Nibali, i dyti në klasifikimin e përgjithshëm të këtij turneu.

Etapa e 21-të u fitua nga çiklisti italian Matteo Trentin, suksesi i 4-t në këtë edicion për të, që mbërri në finish pas 3h06’25”. Ai fitoi duelin e shpejtësisë me francezin Lorrenzo Manzin dhe danezin Soren Andersen. Në klasifikimin e përgjithshëm, Froome, që mban edhe fanëllen e kuqe të liderit, dha kohën e përgjithshme 82h30’02”, ndërsa me 2’15” më shumë u klasifikua i dyti Nibali.

Më shumë nga Çiklizëm