Futboll

Vllaznia e ardhshme pa emra të bujshëm, por me futbollistë ambiciozë

Java e tretë e pushimeve për ekipin e Vllaznisë ka nisur tashmë. Me siguri që pas saj do të ketë edhe ndonjë tjetër, sepse kuqeblutë e kanë të gjithë kohën në dispozicion për të pushuar sërish për shkak të mosangazhimit në Kupat e Europës, që ua lejon këtë luks. E ndërsa futbollistët kanë kohë për të pushuar, për drejtuesit nuk ka kohë. Për ta, tashmë ka nisur puna. Fakti që ata kanë nisur kontaktet me futbollistë të ndryshëm, tregon se ata kanë nisur të lëvizin në merkato. Megjithatë kjo nuk mjafton, sepse e rëndësishme është që ata të firmosin kontratat e para me futbollistët që duan të kenë në skuadër për sezonin e ri.

Ideja për të ndërtuar një Vllazni me shkodranë duket se nuk do të funksionojë sërish. Kjo pasi vështirë se ata më cilësorët që luajnë në ekipet e tjera, do të rikthehen për të luajtur me Vllazninë. Një zgjidhje do gjendet gjithsesi. E rëndësishme është që të mos bëhen aq shumë gabime në merkato sa janë bërë sezonin që sapo u mbyll, sepse nga 9 jabanxhinjtë që ishin pjesë e saj, shumica e tyre kanë dhënë pak, ose më mirë të themi aspak kontribut. Për këto arsye, Vllaznia e sezonit të ri duket se do të ndërtohet nga futbollistë pa shumë emër, por me ambicje të mëdha. Trajneri Cungu shumë shpejt pritet të zbardhë kërkesat e tij për merkaton dhe më pas do të jenë drejtuesit e klubit që do të tentojnë t’i bëjnë realitet ato.

Më shumë nga Futboll