Volejboll

Vllaznia e Partizani sigurojnë finalen e Kupës së Federatës për meshkuj

Vllaznia dhe Partizani janë dy skuadrat finaliste të Kupës së Federatës në volejboll për meshkuj, të kualifikuara në përfundim të dy takimeve gjysmëfinale të këtij eventi, të luajtura sot në mbrëmje në sallën sportive “Feti Borova”, pranë Tirana Olimpik Park. Finalja do të luhet nesër, ora 19:00, ndërsa në orën 17:00 do të luhet finalja e femrave mes Tiranës dhe Partizanit, aktivitet që organizohet nga Federata Shqiptare e Volejbollit.

Nga ndeshja Vllaznia-Farka Volley, 3-1

Skuadra kampione e Vllaznisë mposhti 3-1 Farka Volley në gjysmëfinalen e parëm në një ndeshje me dy pamje, më e mirë për shkodranët në dy setet e para, që fitojnë pa shumë probleme 25-18 e 25-14. Miqtë ulin disi ritmin në setin e tretë dhe kryeqytetasit rikuperojnë duke fituar 23-25 dhe rihapin ndeshjen, duke tentuar surprizën edhe në setin e katërt, por pa sukses. Vllaznia “zgjohet” sërish dhe fiton 25-22 dhe krejt ndeshjen 3-1, duke prerë një biletë për më tej.

Vllaznia – Farka Volley, 3-1 (25-18, 25-14, 23-25, 25-22)

VLLAZNIA: N.Qafarena, Çekini, Taflaj, Preka, Drinazi, Kola, Lloshi, Miloti, Gjoklaj, Rrashketa. Trajner: Adrian Mikopula

FARKA VOLLEY: Alku, Deliu, Spahiu, Murraku, Ismailaj, Balla, Sejati. Trajner: Dritan Bardhi

Gjyqtarë: Rudina Omari, Genci Pishtari

Nga ndeshja derbi Studenti-Partiznai, 0-3

Pa shumë mundim fiton 3-0 edhe Partizani, që mundi Studentin në derbin kryeqytetas, në një ndeshje të komanduar nga të kuqtë e trajnerit Tomorri. Studenti rivalizoi vetëm në setin e dytë, ku tentoi të fitojë, pasi udhëhoqi deri në pushimin e dytë teknik. Por kaq është shumë pak, pasi seti i parë dhe ai i tretë u dominuan nga volejbollistët e Partizanit, që patën epërsi dhe fituan pa shumë vështirësi. Të kuqtë kualifikohen kështu për në finalen e Kupës së FSHV-së, në kërkim të trofeut të parë sezonal.

Studenti – Partizani, 0-3 (19-25, 19-25, 15-25)

STUDENTI: Rama, Martini, Xhebrahimi, Bici, Pirra, Kupi, Rama, Myrto, Gorenca, Dedaj, Baruti, Bajrami, Muça, Kola. Trajner: Altin Demi

PARTIZANI: Muça, Kono, Martiro, Çali, K.Martiro, Troka, Mimani, Malaj, Gorenxa, Memia, Kasa, Qerraxhija, Bakiri, Pepaj. Trajner: Ylli Tomorri.

Gjyqtarë: Tedi Zguri, Klement Agolli

Kalendari i Kupes se Federates

Më shumë nga Volejboll