Kampionati Shqiptar

Vllaznia fton tifozët shkodranë, biletat sërish të lira

Klubi shkodran e konsideron shumë të rëndësishme mbështetjen e tifozëve kuqeblu në këtë moment delikat të kampionatit. Për këtë arsye, edhe njëherë tjetër u ka bërë thirrje atyre të jenë të pranishëm në ndeshjen e radhës, me Teutën, që do të luhet ditën e diel, në “Loro Boriçi”. Përveç kësaj, mësohet se çmimet e biletave do të jenë sërish të ulëta. Në njoftim e shpërndarë në faqen zyrtare të klubit, po ashtu sqarohet edhe problemi i kaosit të krijuar me hapjen e dyerve të stadiumit në ndeshjen e kaluar me Laçin, duke premtuar zgjidhje të tij. Ja njoftimi i plotë:

“Klubi i Futbollit Vllaznia iu bën me dije të gjithë sportdashësve shkodranë se çmimet e biletave në tribunat C dhe D, edhe për ndeshjen e radhës, atë ndaj Teutës, që do të luhet ditën e diel, në orën 17:00, do të jenë 200 lekë të reja. Natyrisht, një ulje e tillë e çmimit shpresojmë të jetë favorizuese për rritjen e numrit të tifozëve në stadium, për mbështetjen e skuadrës tonë. Njëkohësisht, në bashkëpunim edhe me administratën e FSHF-së, që administron stadiumin “Loro Boriçi”, po marrim masat për hapjen e më shumë dyerve në tribunën D, për të evituar problemet që u shfaqën në ndeshjen e kaluar me Laçin.

Ju bëjmë me dije edhe njëherë se administrimi i stadiumit nuk bëhet nga ana jonë, megjithatë po bëjmë maksimumin që tifozët të mos kenë probleme për hyrjen në shkallët e tij. Gjithashtu, ju bëjmë edhe njëherë thirrje tifozëve që të vijnë më herët në stadium dhe të mos e lënë blerjen e biletës dhe hyrjen në këtë impiant sportiv për minutat e fundit, sepse kjo krijon një kaos të panevojshëm. E rëndësishme, mbi të gjitha, është mbështetja juaj, sepse skuadra ka nevojë për të, pasi përballja me Teutën është e një rëndësie të veçantë për ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar