Futboll

Vllaznia me Gjokën dhe Hasanin ndalin Kukësin, kampionët shkojnë -5 nga kreu

Vllaznia ka servirur sot surprizën e javës së tetë në kampionat pasi në Kukës ka ndalur kampionët në fuqi me rezultatin 2-2. Pas barazimit të sotëm, verilindorët mbeten -5 pikë nga kreu i klasifikimit që mbahet nga Skënderbeu, duke i dhënë mundësinë ndjekësve, Flamurtarit dhe Partizanit që të afrohen. Nga ana tjetër shkodranët japin sinjalin e parë pozitiv, duke regjistruar një pikë pas dy humbjeve të njëpasnjëshme, edhe pse sot, pas avantazhit me 2 gola të vendosur në 20’ minutat e para të takimit, i kishin të gjitha mundësitë të dilnin nga Kukësi me një fitore. Në kuotën e 6 pikëve, Vllaznia mbetet në pozita të vështira, por gjithsesi parakalon Lushnjën dhe Luftëtarin që ndodhen në fund të renditjes, duke iu afruar Teutës që e paraprin.

Ka nisur në mënyrën më të çuditshme takimi në Kukës, me shkodranët që kanë kaluar të parët në avantazh, në minutën e 7’ me gol të realizuar nga Atsina, i cili e ka patur të lehtë të devijojë në portën e vendasve një top të goditur nga Lika. Një epërsi e thelluar në favor të kuqebluve në minutën e 20’, me Atsina që ka realizuar dygolëshin personal, pasi ka shndërruar në gol atë asist të shërbyer nga Hasani. Ndonëse në disavantazh me dy gola, ekipi kuksian nuk është dorëzuar, përkundrazi nis menjëherë kundërpërgjigjen. Reagimi i parë është regjistruar në minutën e 25’, kur Guri ka minimizuar diferencat, pasi ka realizuar me kokë golin për Kukësin, duke rihapur ndeshjen. Vendasit kanë gjetur golin e barazimit në minutën e 61’ me Cale, që ka realizuar në mënyrë spektakolare, por duke mbyllur përfundimisht serinë e golave në këtë përballje të veriut.

Kukësi-Vllaznia 2-2
Shënues: Guri 25′, Cale 61′ / Atsina 7′, 20′

Kukësi: Koliçi, Idrizi, Alla, Hoxha, Rrumbullaku, Krkotic, Et’hemi, Cale, Bakaj, Guri, Alijev.
Trajner: Mlladen Milinkoviç

Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku, Krymi, Tafili, Hasani, Lika, Çinari, Atsina.
Trajner: Ernest Gjoka

Arbitër:Laver Alla

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll