FSHF

Vllaznia: Jorgji “non grata”, t’i hiqet stema e FIFA-s

Klubi i Futbollit Vllaznia është i detyruar të dalë me këtë deklaratë për shtyp pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Teuta-Vllaznia, e vlefshme për turin çerekfinal, nisur nga arbitrimi i kryesorit Enea Jorgji. Ky arbiter, sipas klubit shkodran, vendosi jo vetëm fatin e kësaj ndeshjeje, por edhe atë të kualifikimit. “Natyrisht që për ne nuk ishte ndonjë gjë e re me këtë arbitër, sepse sidomos në këtë sezon na ka dëmtuar sistematikisht. Duke nisur nga 11-metërshi shumë i dyshimtë i dhënë ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fazës së dytë të kampionatit, për të vazhduar me 11-metërshin e paqenë në ndeshjen me Partizanin në Tiranë dhe për të përfunduar te ndeshja e sotme, e cila ishte një turp i vërtetë për këtë arbitër, që fatkeqësisht mban edhe stemën e FIFA-s” – citohet në deklaratën e klubit “Vllaznia”.

Deklarata e klubit të Vllaznisë

Më pas drejtuesit e klubit kuqeblu vijojnë: “11-metërshi i dhënë prej tij jo vetëm që është qesharak, por besojmë se duhet të shoqërohet me heqjen e stemës që mban. Por jo vetëm kaq. Sërish mosndërprerja e lojës për goditje të topit me dorë, çka solli edhe golin e dytë të kundërshtarit. Ndëshkimet e këtij arbitri vazhdojnë edhe me disa raste të tjera që favorizonte dukshëm ekipin vendas, ndërsa toleronte ndërhyrjet e tyre të ashpra ndaj futbollistëve tanë. Për të gjitha këto, ditën e nesërme, KF Vllaznia do të dalë në një konferencë për shtyp, ku me pamjet filmike të ndeshjes do të demaskojë veprimet e turpshme të këtij arbitri në dëm të ekipit tonë. Njëkohësisht, ata do ia dërgojmë edhe FSHF-së, bashkë me kërkesën që ky arbitër të mos e drejtojë më Vllaznisë, sepse për klubin tonë ai tani e tutje është ‘non grata’.”

KF Vllaznia nuk do ta lërë me kaq çështjen e këtij arbitri. Pamjet filmike të kësaj ndeshje, por edhe ato të ndeshjeve të mëparshme në të cilat ka ndëshkuar Vllazninë, do t’ia dërgojë FIFA-s dhe UEFA-s dhe do kërkojë deri në fund ndëshkimin e tij për t’i hequr stemën që ai mban. “Futbolli shqiptar nuk ka nevojë për Enea Jorgjin dhe arbitrimet e tij skandaloze. Për këto arsye, jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje”, – përfundon deklarata e klubit të futbollit të Vllaznisë.

Më shumë nga FSHF