• Vllaznia krijon shoqatën e veteranëve të sportit shkodran

    Publikuar: 30 Dec 2:10

    Pasi ka mbyllur një projekt shumë serioz, atë të botimit të librit “Enciklopedia e sportit shkodran”, ish-atleti, ish-trajneri dhe ish-drejtuesi i klubit Vllaznia, Dashamir Sherja, ka ndërmarrë një tjetër inisiativë. Atë të krijimit të shoqatës së veteranëve të sportit shkodran. Lajmin ai e ka bërë të ditur për “telesport.al” kur ka thënë: “Shkodra ka me qindra ish-sportistë që janë lënë në harresë për shkak të shumë problemeve që ka aktualisht ky qytet dhe jeta në përgjithësi. Pikërisht, për t’i rikthyer kujtimet e tyre, për t’i bërë të ndjehen sërish të rëndësishëm, kemi ndërmarrë inisiativë e krijimit të shoqatës së veteranëve të sportit shkodran. Aktualisht, si grup organizator jemi bërë mbi 20 vetë dhe besoj se ky numër do të shtohet nga dita në ditë”.

    15540175_10212560184866401_1269571125_o
    Ish-drejtuesi i klubit Vllaznia, Dashamir Sherja

    Më tej, ai shtoi: “Statutin e shoqatës është duke e përgatitur Ridvan Dibra ndërkohë që do ta regjistrojmë në Gjykatën e Tiranës dhe më pas do të nisë funksionimin e saj. Synimi është të organizojmë takime të ndryshme në raste përvjetorësh të lindjes së sportistëve të ndryshëm, të organizojmë kupa në nderim të figurave sportive apo dhe në rast të ndarjes nga jeta të tyre, t’i bëhen të gjitha nderimet dhe jo të përcillen për në banesën e fundit si Marije Rranxi, një emër i madh i sportit shqiptar, së cilës nuk iu bë asnjë nderim. Jam i bindur se kemi për të bërë gjëra të mira“. Kjo shoqatë pritet ta nisë funksionimin e saj në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm.

    15785675_10212560210627045_1205063763_o
    Ish-sportiste te klubit Vllaznia

    Lexo postimet e tjera