Kampionati Shqiptar

Vllaznia “ndez motorrët”, Hasan Lika me misionin e rikthimit në Superiore

Pas shumë kohë pritjeje, Vllaznia ka nisur stërvitjen. Kësaj here për të garuar në Kategorinë e Parë. Pasditen e së hënës, futbollistët kuqeblu kanë zhvilluar të parën seancë stërvitore për këtë sezon futbollistik. Përpara fillimit të saj është bërë edhe prezantimi i trajnerit të ri, Hasan Lika. Ka qenë administratori i klubit, Suad Lici, ai që ka bërë të qartë se të gjithë i pret një punë e madhe.

Më pas, trajneri i sapoemëruar ka dhënë një prononcim për mediat, duke shpjeguar edhe arsyet që e çuan të vinte tek Vllaznia në këtë periudhë delikate dhe të vështirë. Në seancën e parë kanë qenë të pranishëm vetëm 18 futbollistë, ndërkohë që edhe trajneri Lika ka qenë pa ndihmës, por nga dita e sotme do të emërohen edhe ata që do të punojnë krah tij.

Tekniku kryeqytetas ka lënë të kuptohet se ndihmësit e tij do të jenë nga Shkodra dhe të gjithë së bashku do të mundohen të bëjnë më të mirën për Vllazninë: “Sot është dita e parë dhe në vazhdimësi do të kemi një staf nga Shkodra. Ka plot që duan të japin kontributin e tyre për Vllazninë dhe besoj se do t’i zgjidhim.

Shpresojmë të bëjmë mirë dhe atë që presin nga ne. Shpresojmë të gjithë bashkë të shkojmë aty ku na takon, në Superiore. Është e mundur, sepse duke punuar bashkë, do t’ia dalim. Vështirësi ka dhe kjo është eksperienca ime e dytë në këtë kategori. Është kampionat i fortë, i vështirë, por shpresojmë t’ia dalim.

Kemi biseduar dhe vijojmë të flasim për të përmirësuar skuadrën. Jemi të varur nga ndonjë largim i mundshëm dhe duhet ta plotësojmë vendin që mund të lihet bosh. Kemi nevojë të përmirësohemi në pozicione të ndryshme. Duke parë ekipin që do të krijojmë, mund të tentojmë të ecim larg në Kupën e Shqipërisë, por prioritet është kampionati, rikthimi në Superiore”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar