• Vllaznia në Ulqin, përgatitje mes të ftohtit

    Publikuar: 9 Jan 7:21

    Vllaznia ka nisur paraditen e së hënës përgatitjet dimërore në Ulqin. Ndonëse edhe atje temperaturat janë shumë të ulëta dhe njëlloj si në Shkodër, kuqeblutë nuk janë penguar për të zhvilluar ashtu si duhet procesin stërvitor. Trajneri Armando Cungu dhe stafi i tij janë duke aplikuar nga dy seanca në ditë dhe po kërkojnë që futbollistët të marrin ngarkesat e duhura për të përballuar ashtu si duhet gjysmën e dytë të sezonit. Stërvitjet ndërkohë kanë filluar, por ende nuk ka të konfirmuar asnjë miqësore, kjo për shkak se aktualisht në Ulqin nuk po zhvillon fazën përgatitore asnjë ekip tjetër.

    Në këto kushte, skuadra shkodrane të parën miqësore mund ta zhvillojë në ditët e ardhshme ndaj ekipit U-19 të Akademisë Vllaznia. Sa i takon afrimeve të merkatos, deri më tani mësohet se nuk ka asnjë futbollist të ardhur për provë. Drejtuesit e klubit janë duke konsideruar të gjitha pistat e mundshme për të afruar ndonjë lojtar cilësor, ndonëse në këtë periudhë shanset janë shumë të vogla për goditje kualitative në merkato. Vllaznia do të qëndrojë në Ulqin deri 2-3 ditë përpara ndeshjes së parë të këtij viti, asaj me Kukësin që do të zhvillohet më 21 janar në “Loro Boriçi” dhe trajneri Cungu duket se është duke i bërë planet me kontigjentin aktual që ka në dispozicion.Sigurisht që ai mirëpret ndonjë lojtar tjetër cilësor për të cilin ndoshta duhet pritur edhe ndonjë ditë.

    Nga Gjergj Kola


    Lexo postimet e tjera