• Vllaznia nuk ndalet, fiton finalen e parë ndaj Studentit

    Publikuar: 21 Apr 8:04

    Vllaznia, pasi eliminoi Partizanin në gjysmëfinalet e play off-it në volejboll për meshkuj, fitoi sot në mbrëmje 3-1 ndaj Studentit, në finalen e parë të luajtur në “Asllan Rusi”. Një fitore e vështirë por e merituar e skuadrës shkodrane, që arriti të rikuperojë pas disavantazhit të setit të parë, fituar nga kryeqytetasit. Ndeshja ishte emocionuese dhe me rivalitet, pasi të dyja ekipet e kërkuan fitoren, por loja e Studentit ishte me hope, duke zhgënjyer edhe atëherë kur kishte komandën. Kryeqytetasit duhej të ishin më të freskët në fushë, pasi patën më shumë kohë për të rikuperuar, por ndodhi e kundërta. Vllaznia ishte më konkrete dhe e saktë, më e karikuar dhe arriti të rrëmbejë këtë sukses të parë, duke udhëhequr 1-0 me ndeshje.

    Nga ndeshja Studenti-Vllaznia luajtur sot

    Seti i parë është i ekuilibruar, ku herë udhëheq Studenti e herë Vllaznia, por pas pikës së 20-të është ekipi kryeqytetas që merr komandën dhe fiton 25-21. Emocione e rivalitet edhe në setin e dytë, me skuadrat që rivalizojnë për çdo pikë dhe loja bëhet emocionuese në fund. Por miqtë nga Shkodra shkëputen dhe fitojnë 25-23, duke barazuar setet. Nën këtë hov, Vllaznia luan edhe në setin e tretë, të cilin e dominon që në start, duke u shkëputur dhe fituar thellë 25-16. Por seti i katërt rikthen emocionet në parket, me Studentin që nuk heq dorë dhe ka vazhdimisht komandën, por Vllaznia nuk heq dorë, rikuperon dhe në pikët e fundit fiton 25-23, duke u treguar më e kujdeshme. Një fitore e rëndësishme për Vllazninë, që do të luajë sfidën e dytë para publikut të saj.

    Finale play off – Volejboll meshkuj

    21 prill, Studenti – Vllaznia, 1-3 (25-21, 23-25, 16-25, 23-25)

    25 prill, Vllaznia – Studenti, ora 18:00 (Shkodër)

    28 prill, Studenti – Vllaznia, ora 18:00 (Asllan Rusi-1)

    2 maj, Vllaznia – Studenti, ora 18:00 (Shkodër)

    5 maj, Studenti – Vllaznia, ora 18:00 (Asllan Rusi-1)

    *Ndeshja e katërt dhe e pestë do të luhen nëse janë të nevojshme.


    Lexo postimet e tjera