Basketboll

Vllaznia tjetër goditje “big”, merr edhe amerikanin Olivier

Ajo që kishin premtuar drejtuesit e Vllaznisë në basketboll për meshkuj, tashmë e kanë bërë realitet. Kuqeblutë kanë kryer një tjetër goditje në merkato, teksa kanë firmosur me amerikanin e katërt. Ai është Chris Olivier. Ky i fundit ka mbërritur pasditen e sotme në Shkodër, ndërsa paraditen e nesërme pritet të prezantohet para mediave. Lajmi bëhet i ditur nga inspektori i klubit Vllaznia, Astrit Zaganjori, që duket se vazhdon me “çmenduritë” e tij për të ndërtuar një skuadër të fortë me të cilën të fitojnë titullin e katërt kampion radhazi.

Mund të konfirmoj faktin se kemi marrë një tjetër lojtar cilësor, amerikanin Chris Olivier. Kjo është bërë e mundur falë mbështetjes financiare të donatorit tonë Petrit Maho, që bashkë me presidentin Sokol Dibra janë të vendosur për ta shpallur Vllazninë kampione edhe këtë sezon”, – ka thënë ai për “telesport.al”. Skuadra e drejtuar nga kroati Sarin e ka shfaqur si domosdoshmëri përforcimin me një lojtar të pozicionit qendër dhe zgjedhja më e mirë duket se ka qenë ajo e Olivier.

Ky i fundit nuk ka qenë krejtësisht i panjohur për drejtuesit e kësaj skuadre, sepse amerikani ka qenë pjesë e ekipit kosovar Ylli të Suharekës, me të cilin Vllaznia pak kohë më parë ka zhvilluar një ndeshje miqësore. Kampionati ka hyrë në një fazë interesante dhe tashmë kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të fazës së dytë të kampionatit, para se të nisë faza e “play off”-it, ku në gjysmëfinale Vllaznia do të ndeshet me Teutën, por objektivi natyrisht është për të mundur Tiranën në finale.

Më shumë nga Basketboll