Kampionati Shqiptar

Vllaznia zyrtarizon adiministratorin Suad Lici, pritet trajneri Hasan Lika

Nisin të lëvizin ingranazhet te Vllaznia. Klubi kuqeblu, që do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, ka zyrtarizuar sot administratorin e ri. Bëhet fjalë për një emër të njohur të futbollit shkodran, por jo vetëm, Suad Lici. Ish-mbrojtësi i shquar i Vllaznisë, Tiranës dhe kombëtares ka marrë tashmë në dorë “timonin” e kuqebluve, teksa pritet ta nisë me zyrtarizimin e trajnerit Hasan Lika dhe hallkave të tjera drejtuese të klubit, skuadrës dhe akademisë. Ja njoftimi me këtë rast:

“Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a bën të ditur se, pas shqyrtimit të disa kandidaturave, ka vendosur që në postin e administratorit të tij të emërojë z.Suad Lici. Një emër i tillë natyrisht që është shumë i njohur nga i gjithë ambienti sportiv shkodran dhe shqiptar, sepse kemi të bëjmë me një futbollist që ka lënë gjurmën e tij gjatë aktivizimit shumëvjeçar me Vllazninë, por edhe me kombëtaren shqiptare.

Nga ana tjetër, formimi i tij akademik dhe suksesi në sipërmarrjet e tij private na bëjnë të besojmë se ai është zgjedhja e duhur për drejtimin e klubit. I urojmë shumë suksese z.Lici, për ta kthyer Vllazninë sa më shpejt në nivelet më të larta”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar