Connect with us

Futboll

Vllaznia zyrtarizon përforcimin e parë, nënshkruan Arsen Hajdari

Pak orë përpara nisjes së ekipit drejt Ulqinit, aty ku do të zhvillohet faza përgatitore dimërore, drejtuesit e Vllaznisë kanë bërë realitet firmosjen e kontratës së parë në këtë merkato janari. Bëhet fjalë për futbollistin shkodran Arsen Hajdari i cili ka hedhur firmën në kontratën e ofruar nga drejtuesit e klubit dhe tashmë është bërë zyrtarisht pjesë e kuqebluve. Nga sa ka bërë të ditur vetë klubi në faqen e tij zyrtare, Hajdari ka firmosur për një sezon e gjysëm. Në këtë mënyrë, mesfushori me tipare sulmuese rikthehet sërish te skuadra shkodrane, pas 18 muajsh shkëputje, kohë gjatë të cilës ai luajti fillimisht me Besëlidhjen dhe më pas tentoi të aktivizohej në futbollin italian, por pa ia dalë dot mbanë, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Për këto arsye, Hajdari është rikthyer sërish në Shkodër dhe prej disa ditësh është vënë nën urdhërat e trajnerit Cungu i cili ka testuar të gjithë parametrat fizikë të tij dhe në fund ka dalë në konkluzionin se ky lojtar i nevojitet skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit.

Pas marrjes së “ok”-it nga ana e trajnerit, ka qenë më pas administratori Gjyrezi ai që ka mbyllur marrëveshjen edhe nga ana financiare, e kënaqshme mjaftueshëm sa për të bërë që Hajdari të hidhte firmën në kontratë. Për këtë arsye, më pas ka udhëtuar bashkë me ekipin drejt Malit të Zi për t’u stërvitur në përgatitje për nisjen e gjysmës së dytë të sezonit. Në këtë mënyrë, Vllaznia ka bërë realitet përforcimin e parë në merkaton e dimrit, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të konsiderohet çdo mundësi për të gjetur edhe përforcime dhe afrime të tjera. Kuqeblutë në fakt kanë patur dy vende bosh në organikë, pas largimit të kosovarit Hoxha dhe kroatit Vaitzer. Me ardhjen e Hajdarit është plotësuar vendi i lënë bosh nga largimi i Hoxhës, ndërkohë që më e domosdoshme tani padiskutim është gjetja e një sulmuesi cilësor dhe për këtë, gjatë qëndrimit në Ulqin, pritet të provohen disa lojtarë të huaj.

Nga Gjergj Kola

Më shumë nga Futboll