Volejboll

Volejboll femra, vijon seleksionimi për përfaqësuesen U-19

Federata Shqiptare e Volejbollit ka vijuar sot në qytetet e Krutjes dhe Vlorës zborin e saj seleksionues me volejbollistet kandidate të ekipit kombëtar U-19 për vajza, që në shtator të këtij viti do të marrë pjesë në fazën finale të Europianit të kësaj grupmoshe. Pas etapës së parë të zhvilluar një javë më parë në Tiranë, sot në vëmendjen e FSHV-së dhe stafit të ekipit kombëtar, që drejtohet nga trajneri Roland Tarja, kanë qenë ekipet e Lushnjës, Apolonisë 1 dhe 2, Vlorës, Flamurtarit 1 dhe 2, Himarës.

Zbori ka shkuar mjaft mirë dhe shumë vajza janë paraqitur në këto seleksionime, duke treguar interes dhe dëshirë për të veshur fanellën kuqezi në këtë Europian. Siç dihet, FSHV-ja është organizatore e finaleve të Europianit U-19 për vajza, ndaj ka nisur një punë e madhe për t’u paraqitur në këtë event me një ekip të denjë dhe konkurrues. Puna në bazë është e madhe dhe e rëndësishme dhe këto zbore do të japin mundësi stafit të përzgjedhë elementin më të mirë.

Zbori do të vijojë edhe nesër në qytetin e Pogradecit, me skuadrat e Pogradecit, Skënderbeut e Elbasanit. FSHV përshëndet ekipet e volejbollistet pjesëmarrëse dhe i inkurajon për të vazhduar stërvitjen dhe punën për të qenë pjesë e ekipit kombëtar, pasi zboret do të vijojnë edhe përgjatë kampionatit të moshave.

Më shumë nga Volejboll