Miks Bota

Vonn sfidon meshkujt në një garë skish, Federata shtyn vendimin

Lindsey Vonn duhet të presë ende për të mësuar nëse në të ardhmen do të ketë mundësi të garojë bashkë me meshkujt, në një garë të Kupës së Botës në ski. Federata Amerikane e Skive i ka paraqitur Federatës Ndërkombëtare (FIS) një kërkesë që bukuroshja Vonn të zhvillojë një garë të Kupës së Botës bashkë me meshkujt, por FIS ka deklaruar se nuk do të japë një përgjigje para gushtit 2018. Kjo kërkesë e skiatores 33-vjeçare amerikane do të diskutohet nga këshilli në një moment të dytë, pas Olimpiadës që zhvillohet në shkurt, në Kore.

Lindsey Vonn gjate nje gare ne pisten e Lake Louise

Drejtori i garave të Kupës së Botës për meshkuj, Markus Waldner, deklaroi se për të nuk ka asnjë problem që skiatorja më e suksesshme e historisë të garojë me kategorinë tjetër. Por ai ka deklaruar se nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi nëse Vonn dëmtohet apo pëson ndonjë aksident të rëndë. Dhe, mbi të gjitha, ai kërkon ndihmë se si ta menaxhojë këtë situatë, që në të ardhmen mund të përsëritet edhe nga skiatore të tjera.

Skiatorja Lindsey Vonn ka kërkuar që ajo të garojë bashkë me meshkujt në disiplinën e zbritjes së lirë për meshkuj, e cila do të zhvillohet në pistën e shtëpisë së saj, atë të Lake Louise, në nëntor 2018. Vonn e njeh mjaft mirë këtë pistë, pasi ato ka mësuar të rrëshqasë dhe ka fituar mjaft gara në karrierën e saj.

Më shumë nga Miks Bota