• Wenger: A ardhmja ime tek Arsenali? Ja kur vendoset!

    Publikuar: 19 May 1:25

    E ardhmja e Arsene Wenger në stolin e Arsenalit duket se do të zgjidhet në një takim të bordit drejtues të klubit londinez, pas finales së “FA Cup”, ndonëse trajneri veteran u përpoq të mbetej në mënyrë tipike evaziv mbi këtë çështje. Francezi gjendet jashtë kontrate në fund të këtij sezoni, ndërkohë që tifozët e “Topçinjve” kanë kërkuar me ngulm largimin e tij, për shkak të mosfitimit të trofeve të rëndësishëm. Arsenali ka fituar gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit të Premier League, por do të humbasë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, nëse nuk renditet mes katër skuadrave më të mira të këtij sezoni. Do të ishte hera e parë që Arsenali të mbetej jashtë “top 4”, nën drejtimin e Wenger, mbretërimi i të cilit filloi në vitin 1996. I pyetur në një konferencë shtypi, para ndeshjes së radhës në kampionatin anglez, nëse këtë fundjavë do të shënohej “sfilata” e tij e fundit në “Emirates”, francezi tha:

    “Për këtë sezon, po”. Më tej, i ngacmuar nga gazetarët, nëse do të ishte ndeshja e tij e fundit ndonjëherë në veri të Londrës, Wenger u përgjigj: “Nuk mund ta them këtë. Ajo që është më e rëndësishme për ne ka të bëjë me fitoren e ndeshjes së futbollit, që do ta luajmë të dielën. Pas kësaj, se çfarë ndodh me mua është më pak e rëndësishme. Unë jam këtu për t’i shërbyer klubit dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke fituar ndeshjen e ardhshme”. Pastaj, ai u kthye të flaës mbi takimin e Bordit të Arsenalit, pas sezonit: “Unë mendoj se kjo do të ndodhë pas “FA Cup. Aty do të finalizohen shumë gjëra. Sigurisht, do të jem atje, në këtë mbledhje, por për momentin duhet të përqendrohemi në planin afatshkurtër, në atë që do të ndodhë këtë të diel dhe pastaj në finalen e “Fa Cup”.


    Lexo postimet e tjera