Futboll

Wenger gjen pasuesin e Sanchez, bën pazar tek armiku Mourinho

Trajneri Arsene Wenger ka evidentuar Anthony Martial si zëvendësuesin e Alexis Sanchez te skuadra e Arsenal, në rast se ky i fundit vendos të largohet nga “topçinjtë” në fund të këtij sezoni, apo edhe më herët. Kontrata e Sanchez skadon në fund të këtij sezoni, kur dhe ai mund të largohet me parametrin “0” te ndonjë ekip tjetër, ose mund të lërë më herët Arsenal, në merkaton e janarit. Ndaj Wenger kërkon të jetë i përgatitur dhe ka gjetur zëvendësuesin e kilianit, që është francezi Martial, këtë sezon i aktivizuar shumë pak te Manchester United nga trajneri Jose Mourinho.

Anthony Martial me fanellen e Manchester United

Martial, 21 vjeç, këtë sezon ka luajtur më së shumti si zëvendësues dhe nuk ka gjetur shumë hapësira te skuadra e “djajve të kuq”, ndaj mund të largohet tek Arsenal, ku do të jetë titullar. Për Wenger nuk ka për të qenë e lehtë të marrë lojtarin francez, që ka kërkesa edhe nga skuadra të tjera e, mbi të gjitha, duhet të bindë Mourinho ta lërë të lirë, me të cilin trajneri i Arsenal nuk ka aspak marrëdhënie të mira. Martial erdhi tek United në verën e vitit 2015 për vlerën e 60 milionë eurove dhe asnjëherë nuk ka qenë i preferuar nga trajneri portugez. Këtë sezon, Martial ka realizuar 5 gola e 6 asist për United, duke qenë mjaft produktiv sa herë është aktivizuar.

Më shumë nga Futboll