La Liga

Wenger: Si ma morën Ronaldon nga duart, keqardhja më e madhe në merkato

Arsene Wenger mendon se Cristiano Ronaldo është njolla më e keqe në transferimet e tij tek Arsenali, pasi ardhja e mundshme e portugezit do të kishte ndryshuar historinë në veri të Londrës. Pasi kaloi 22 vite në krye të “topçinjve të Londrës”, francezi ka bërë pa fund rekrutime, ndërkohë që sot bën edhe bilancin e dështimeve në këtë drejtim.

Cristiano Ronaldo ishte përgatitur të largohej nga Sporting në vitin 2003, por negociatat e Wenger me të u zvarritën dhe Manchester United ndërhyri për ta marrë fituesin e ardhshëm të pesë “Topave të Artë”. CR7 kaloi në “Old Trafford” për 12 milionë £.

Wenger i tha faqes zyrtare të Arsenalit: “Lojtari i dukshëm, që kemi humbur dhe më vjen menjëherë në mendje, është Ronaldo. Ai ishte këtu me nënën e tij dhe ishim shumë afër nënshkrimit. Pastaj ndërhyri Manchester United përmes Carlos Queiroz, në atë kohë.

Manchester United luajti kundër Sporting Lisbonës dhe Ronaldo ishte i jashtëzakonshëm, duke vulosur nënshkrimin me “Djajtë e Kuq”. “Ju mund të imagjinoni atë kohë se çfarë do të ishte, sikur të kishim Thierry Henry dhe Ronaldon së bashku. Më vonë, Manchester United kishte Rooney, Ronaldo dhe Van Nistelrooy, së bashku, prandaj u bë një ekip i jashtëzakonshëm futbolli.

Mungesa e atij transferimi e ndryshoi pak historinë e qëndrimit tim këtu. Gjithmonë ka diçka që mund ta keni bërë ndryshe, por problemi i negociatave të merkatos është të dini kur jepni dhe sa do të jepni. Kishim afruar 4.5 milionë £, ishim akoma në negociata.

David u takua me agjentin e Ronaldos, Jorge Mendes, në Paris. Ai përfaqësonte edhe Sporting, kështu që ishim shumë afër, por Manchester United e ngriti ofertën në 12 milionë £, të cilën nuk mundëm ta përballonim në atë kohë”.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga La Liga