Bundesliga

Ylli i Bundesliga-s braktis kombëtaren: “Nuk luaj pa vëllain tim!”

Topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj vetë. Një herë e një kohë veprohej pikërisht kështu kur luhej nëpër rrugica, apo nëpër oborret e shkollave. Eventualisht, Leon Bailey, ylli i datëlindjes 1997 i Bayer Leverkusen, që sapo mbushi 21 vjeç dhe nuk është mësuar ende me futbollin e të mëdhenjve, teksa vijon të pretendojë se mund të bëjë ligjin. Mbase edhe sepse i vlerësuar në shumën e 45 milionë euro, është një prej talenteve të reja më të vlerësuar në merkaton botërore. Për rrjedhojë, historia e grumbullimit të tij me përfaqësuesen e Xhamajkës po merr ngjyrim absurd.

Ndërkohë, duhet kuptuar pse Xhamajka dhe jo Anglia, duke marrë në konsideratë faktin që mendohej se mesfushori i Bayer mund të përfshihej në 23-shen e Southgate për Kupën e Botës. Thjeshtë sepse Bailey nuk është i ligjshëm për përfaqësuesen e ‘Tri Luanëve’. Gjyshërit e tij kanë pasaporta angleze, por meqenëse asnjëri prej tre gjeneratave të fundit të familjes efektivisht nuk ka lindur në Angli, nuk ka grumbullim. Për rrjedhojë, pavarësisht se ka lënë Xhamajkën në moshën 13-vjeçare, për të mbërritur në Europë, ajo karaibike është e vetmja fanellë që Bailey mund të veshë. Edhe pse deri pak muaj më parë nuk kishte asnjë qëllim që ta bënte. Arsyeja? Niveli i futbollit lokal ishte shumë i ulët. Kështu që deri sa të përmirësohej, djaloshi nuk do të kishte pranuar të lejonte pjesëmarrjen e tij në kombëtaren e Kingston.

Tani dukej se gjithçka ishte në rregull. Sikruse raporton Jamaica Gleaner’, Bailey ishte gati për debutimin në ndeshjen e kualifikueset për në Ligën e Kombeve të CONCACAF ndërmjet Xhamajkës dhe përfaqësueses së ishullit të Bonaire. Jo një ndeshje sfiduese, por gjithsesi më në fund e para në kombëtare për të ardhmen e futbollit xhamajkan. Përkundrazi, nuk do të bëhet asgjë, sepse futbollisti i Bayer, ka bërë me dije se nuk do të luaj as këtë herë. Motivi? “Federata nuk i qëndroi besnike marrëveshjes”. Çfarë parashikonin akordet? Që të grumbullohej dhe të aktivizohej në fushë edhe vëllai i Bailey, Kyle Butler, që luan në divizionin e dytë austriak. Mediat nga Xhamajka bëjnë me dije se federata nuk ishte kundër grumbullimit, por të paktën, në lidhje me aktivizimin e vëllait që nga minuta e parë, duhej të vlerësohej më parë forma e tij, dhe jo të futej në fushë një futbollist, vetëm mbi bazë besimi. Ndaj, pse të mos bëhej një testim? Një kërkesë kjo e federatës që ka nxehur futbollistin. “Çështja e Kyle për mua është shumë e rëndësishme. Kam nevojë për futbollistë që të më kuptojnë, jam një fitues, nuk më pëlqen të humbas. Dhe duke mos patur në krah persona që të më ndihmojnë të fitoj, nuk luaj”, deklaroi Bailey.

Më shumë nga Bundesliga